ShBA-ja: Nuk ka prova se Egjipti po i ofron armë Rusisë NULL NULL 12.04.2023 00:57 12.04.2023 00:57 Flamur Amerikan Amerika ka deklaruar se nuk ka prova që sugjerojnë se Egjipti po furnizon Rusinë me armë vdekjeprurëse, pasi një dokument i zbuluar amerikan pretendonte se Kajro kishte planifikuar fshehurazi të furnizojë Moskën me raketa. ‘Washington Post’, duke cituar një pjesë të një dokumenti top-sekret të datës 17 shkurt, raportoi se presidenti egjiptian, Abdel Fatah El-Sisi, planifikoi të prodhojë 40 mijë raketa për Rusinë. Thuhet se presidenti egjiptian i udhëzoi zyrtarët ta mbanin të fshehtë prodhimin dhe dorëzimin për të parandaluar problemet me kombet perëndimore. Këshilltari amerikan i Sigurisë Kombëtare, John Kirby, tha se nuk kanë parë “asnjë provë se Egjipti po ofron armë dhe kapacitete vdekjeprurëse për Rusinë”. Kirby tha se administrata e presidentit Joe Biden dëshiron të marrë përgjigje sa më parë për të identifikuar se ku ka ndodhur shkelja. Të premten, Pentagoni tha se po heton zbulimin e paautorizuar të dokumenteve, të cilat mbajnë vula të shefave të Shtabit të Përbashkët të SHBA-së dhe dyshohet se i përkasin SHBA-së dhe NATO-s. Ato u shpërndanë në mediat sociale, përfshirë në twitter dhe instagram. Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së hapi një hetim penal për rrjedhjen e dokumenteve. Administrata e presidentit Biden në mënyrë të përsëritur ka refuzuar të vlerësojë vërtetësinë e tyre, por ato përfshijnë informacione për rrjedhën e luftës në Ukrainë, ndihmën humanitare të ofruar nga vende të ndryshme dhe kalendarët për ndihmat që u dërgohen forcave të Kievit. Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.