SHBA-ja e shqetësuar për deklaratat e partive opozitare kundër Planit Evropian NULL NULL 06.03.2023 17:11 06.03.2023 17:11 Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka thënë se janë të shqetësuar me deklaratat e krerëve të partive opozitare në lidhje me Planin Evropian. Kjo ambasadë në një përgjigje për Klankosova.tv. ka nënvizuar se këto pikëpamje nuk përputhen me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për propozimin. “Jemi të shqetësuar me deklaratat e bëra nga drejtues dhe zyrtarë të partive opozitare që shprehin kundërshtimin e tyre ndaj propozimit të BE-së. Këto pikëpamje nuk përputhen me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për propozimin”, thuhet në një përgjigje të ambasadës amerikane për Klankosova.tv. Kujtojmë, në lidhje me Planin Evropian, kryetari i partisë më të madhe opozitare, PDK, Memli Krasniqi, kishte thënë se Kosova humbi njohjen dhe fitoi asociacionin. “Ajo që kishim paralajmëruar edhe ndodhi. Kushtet dhe qëndrimet u shkrinë para interesave personale dhe ambicieve për pushtet të Kryeministrit Kurti. Kosova humbi njohjen dhe fitoi asociacionin”, ka thënë Krasniqi. “Duhet thënë zëshëm dhe qartë: tashmë është edhe zyrtarisht evidente se propozimi evropian nuk parasheh njohjen e ndërsjellë, si kriter kryesor për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe hapjen e perspektivës evropiane për shtetit tonë”. I pari i PDK-së, kishte shtuar se në këtë marrëveshje nuk flitet për njohjen nga pesë vendet dhe nuk flitet për hapjen e rrugës drejt anëtarësimit në NATO. “Aty nuk flitet për njohjen nga pesë vendet mos-njohëse të BE, nuk flitet për hapjen e rrugës drejt anëtarësimit në NATO, as për marrjen e statusit kandidat për anëtarësim në BE”, ka thënë Krasniqi. “Për dy vjet me radhë, ne e kemi mbështetur Kryeministrin Kurti në raport me Serbinë. E kemi inkurajuar që të koordinohet me aleatët tanë ndërkombëtarë dhe i kemi ofruar edhe propozime konkrete në lidhje me marrëveshjen finale me njohjen e ndërsjellë në qendër”. Për Propozimin Evropian, kishte reaguar edhe i pari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili kishte thënë se nga deklarimi i kryeministrit mbi këtë marrëveshje tashmë të dakorduar, por ende të paprezantuar në Kuvendin e Kosovës, u vërtetuan brengat e LDK-së, të bëra tashmë publike. “Sonte në Bruksel, kryeministri i Kosovës u pajtua me propozimin evropian mbi normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Nga deklarimi i kryeministrit mbi këtë marrëveshje tashmë të dakorduar, por ende të paprezantuar në Kuvendin e Kosovës, u vërtetuan brengat e LDK-së, të bëra tashmë publike”, pati thënë Abdixhiku. “Kjo marrëveshje nuk është finale dhe nuk e përmban njohjen e ndërsjellë. Për më tepër ajo mban ambiguitet interpretues mbi statusin politik të dy shteteve. Gjithçka përveç njohjes – ishte qëllimi i Serbisë. Gjithçka përveç njohjes ka kjo marrëveshje sot, tashmë e pranuar nga palët”. “Dokumenti i pranuar po ashtu parasheh implementimin e të gjitha marrëveshjeve paraprake – përfshirë dhe Asociacionin – si dhe statusin e veçantë për Kishën Ortodokse Serbe. Kryeministrit i ka mbetur vetëm ta dakordojë datën e themelimit te Asociacionit, meqë ai, me pranimin e zbatimit të marrëveshjeve paraprake, ka pranuar që ta themelojë atë”. Abdixhiku kishte shtuar se LDK-ja konsideron se kryeministri Kurti e ka menaxhuar tërsisht gabuar procesin e dialogut. “LDK konsideron se menaxhimi tërësisht i gabuar i procesit të dialogut nga kryeministri i Kosovës përgjatë dy viteve të fundit, ka zhvendosur procesin e dialogut nga një marrëveshje përfundimtare e ligjërisht të obligueshme në një marrëveshje bazë, pa njohje në të dhe me vazhdimësi dialoguese për vitet e ardhshme. Përfundimi në mes të zgjedhjes së një marrëveshje të tillë dhe izolimit eventual të Kosovës janë përgjegjësi e këtij kryeministri”. /Klankosova.tv.