Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

ShBA-ja e Kosova me aleancë të hekurt (VIDEO)

NULL NULL
nga Besnik Tahiri 11.01.2023 20:06

Zyrtari i lartë në Departamentin Amerikan të Shtetit (DASh), Derek Chollet, të mërkurën zhvilloi vizitën e tij të parë në Republikën e Kosovës.

Në Prishtinë delegacioni i madh nga Uashingtoni u prit së pari nga presidentja Vjosa Osmani. Temat kryesore të bisedës, pas së cilës nuk pati adresim për media, ishin aleanca Kosovë-ShBA, dialogu me Serbinë dhe roli amerikan që u konsiderua shumë i rëndësishëm në këtë proces.

“Presidentja Osmani tha se marrëveshja përfundimtare, e cila duhet ta ketë në qendër njohjen e ndërsjellë, ka për qëllim përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe arritjen e paqes së qëndrueshme dhe afatgjate në rajon. Kosova është e gatshme të vazhdojë, me përkushtim të plotë, të jetë palë konstruktive, e koordinuar me ShBA-në, duke bërë propozime që kontribuojnë në arritjen e një marrëveshjeje të tillë”, thuhet në njoftimin nga Zyra e Presidentes.

Në takim, sipas njoftimit, u bisedua edhe për zhvillimet e fundit në vend dhe rajon, duke potencuar aleancën dhe afërsinë e theksuar të Serbisë me Rusinë dhe rreziqet që paraqet ky raport, jo vetëm për Kosovën, por edhe për aleancën euroatlantike.

“Presidentja Osmani theksoi se me mbështetjen e Rusisë, Serbia vazhdon të jetë forcë destabilizuese dhe kërcënim për paqe të qëndrueshme në rajon. Presidentja Osmani në takim me delegacionin e lartë amerikan, konfirmoi partneritetin historik dhe të pathyeshëm në mes të ShBA-së dhe Kosovës, ndaj pikërisht kjo është një bazë e fortë për rritjen e bashkëpunimit në fushën ushtarake dhe atë ekonomike. Bazuar në nismën e saj për Dialog Strategjik Ndërshtetëror me ShBA-në, të iniciuar formalisht nga Osmani para gjashtë muajsh, u shpreh gatishmëri për përshpejtimin e këtij procesi në përfitim të qytetarëve të të dy shteteve”, njoftoi presidenca.

Delegacioni amerikan që pos Chollet,u përbë nga i dërguari për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, zëvendësndihmës sekretari i Mbrojtjes Spencer Boyer, e ambasadori në Kosovë, Jeffrey Hovenier, u takuan edhe me kryeministrin Albin Kurti, ku u diskutuan çështjet më aktuale në raportet Kosovë-ShBA dialogu me Serbinë e të tjera. Një konferencë për media sikur në presidencë mungoi edhe në kryeministri.

Të enjten Derek Chollet me delegacionin që erdhi nga Uashingtoni, shkon në Serbi.

Në Beograd, ku top temë do jetë dialogu me Kosovën dhe ujdia që duhet arritur sipas propozimit evropian ,diplomatët amerikanë do të takohen mes tjerash me presidentin Aleksandar Vuçiq.

lajme të ngjashme