Sekondat që ndryshuan gjithçka, si ndodhi aksidenti i Zana Gjevukajt? (VIDEO) NULL NULL 09.07.2025 22:10 09.07.2025 22:10 Ishte dita e parë e prillit. Pas përfundimit të orarit të punës si edukatore në një qendër ditore, Zana Gjevukaj mori rrugën e zakonshme për në shtëpi, në fshatin Qyshk, të Pejës. Rreth orës 15:45, ajo ndodhej në magjistralen Prishtinë-Pejë, në fshatin Qyshk. Kishte përpara një rrugë me rrezik, të cilën duhej ta kalonte çdo ditë për të shkuar në shtëpi. Pamjet e siguruara nga Klan Kosova tregojnë qartë momentet e fundit të saj.Zana, me kujdes, kalon pjesën e parë të rrugës, nga drejtimi Pejë-Prishtinë, dhe ndalet në ishullin e vendkalimit për këmbësorë. Dita ishte me shi. Veturat lëviznin shpejt, rruga ishte e lagësht. Ajo pret. Pret derisa një veturë në korsinë e djathtë ndalet për t’i dhënë përparësi. Zana nis të ecë. Hedh hapat e parë, me bindjen se rruga është e sigurt. Por në çastet e ardhshme, ndodh tragjedia. Një veturë tjetër, që po lëvizte me shpejtësi të madhe në korsinë e majtë, e godet fuqishëm. Trupi i saj ngritet në ajër për rreth tre metra dhe bie në asfalt, duke pësuar lëndime të rënda. Në timon ishte Argjendi Kastrati, nga fshati Zahaq i Pejës, i cili po drejtonte një Golf 7 ngjyrë hiri. Pas aksidentit, ai ndalet. Zbret nga vetura dhe përpiqet t’i ofrojë ndihmë. Së bashku me persona të tjerë, e dërgon Zanën në Emergjencën e Pejës. “Pasi që është kuptu që ka lëndime të rënda trupore, në vend të ngjarjes ka dalë prokurori kujdestar i cili ka ftu edhe Inspektoratin Policor,” ka deklaruar zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikci, për emisionin MAT në Klan Kosova, “brenda afatit optimal, brenda 24 orëve janë grumbulluar të gjitha provat të cilat i kanë shërby edhe aktakuzës. Në këtë çështje janë siguru prova materiale, kamera dhe është identifiku, arrestu personi, është ndalu dhe menjëherë viktima pas tretmanit në spitalin rajonal të Pejës është dërguar në QKUK,” ka deklaruar më tej ai. Po atë ditë në ora 20:40 minuta Argjend Kastrati intervistohet nga kolegët e tij në stacionin policor në Pejë, por ai shfrytëzon të drejtën që të mbrohet në heshtje. Kështu ndalet në Ndalim Policor. Të nesërmen Prokuroria Themelore në Pejë bën kërkesë për caktim të masës së Arrestit Shtëpiak dhe merr aktvendim për fillim të hetimeve për veprën “Rrezikimi i trafikut publik”. Dy ditë pas aksidentit Gjykata Themelore në Pejë mban seancën e dëgjimit për arrest shtëpiak. Këtu prokurori i rastit Ermal Demhasaj, vlerëson se në këtë fazë të hetimeve, kur po mblidhen provat dhe ekspertizat nga vendi i ngjarjes, i dyshuari mund të ndikojë në dëshmitarë, të dëmtuarën e cila gjendej në trajtim intensiv në QKUK dhe në tërësi në proces, andaj kërkon masën e ndalimit të arrestit shtëpiak. Në këtë seancë, kur merr fjalën Argjendi shpreh keqardhje për rastin dhe lutet që Zana të shërohet. “I shpreh keqardhje familjes së të dëmtuarës, lus Zotin që e njëjta të shërohet sa më shpejtë, ndjej keqardhje thellë,” ka deklaruar ai.Me kërkesë të prokurorit, zyrtarë të Inspektoratit Policor të Kosovës e kishin vizituar dy herë pacienten derisa ajo po trajtohej në mjekim intensiv në QKUK. Dhe në raportin e dërguar prokurorit, nga Departamenti i Hetimeve në IPK thuhet se më 4 prill hetuesit e këtij institucioni mbikëqyrës të policisë e kanë vizituar dhe siguruar raportin e viktimës Zana Gjevukaj, në të cilin thuhet se “nga mjekët përgjegjës të repartit të Klinikës së Anesteziologjisë dhe Mjekimit Intensiv, kanë marrë informacion se gjendja e viktimës është e rëndë dhe se të njëjtës i janë bërë dy operime shkaku i lëndimeve të pësuara dhe se e lënduara ishte në komë”. Katër ditë më vonë hetuesit e kishin vizituar sërish viktimën ku mjekët kishin informuar se Zana ende ishte në gjendje të rëndë shëndetësore por me një përmirësim të vogël, me shpresë që në një të ardhme ta nxjerrin nga aparaturat të cilat po e mbanin vital dhe gjallë trupin e saj. Gjykatësi në procedurë paraprake e aprovon si të bazuar kërkesën e prokurorisë dhe Argjendit i caktohet masa e arrestit shtëpiak për një muaj. “Në shumicën e rasteve kur të sigurohen provat, kur ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe prokurori, kur nuk ka pasoja fatale, shkon me kërkesë për arrest shtëpiak. Pra edhe në këtë rast, viktima nuk ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes” ka thënë Shkodran Nikçi, zëdhënës i Prokurorisë Themelore në Pejë. Kjo masë e sigurisë, Argjendit i caktohet edhe për 2 muaj të tjerë në seancën e mbajtur në fund të muajit prill. Por pak ditë më vonë, Zana ndërroi jetë. 26-vjeçarja nga Qyshku i Pejës nuk arriti të luftonte më shumë, dhe pak pas orës 15, më 4 maj, mjekët në trajtimin intensiv të QKUK-së konstatojnë vdekjen e saj. As ky ndryshim i rrethanave nuk e bëri Prokurorinë e Pejës që të ndryshojë masën e sigurisë për shkaktarin e aksidentit. Gazetarja: Pas ndryshimit të rrethanave, a do të duhej me ndryshu edhe masa naj zyrtarit policor në këtë rast? Janë tri rrethana me të cilat që duhet me ju caktu masa e paraburgimit një personi. Është kur mund të përsëritet vepra penale, në këtë rast nuk ka qenë e mundur të përsëritet vepra penale. Kur i njëjti mund të ndikojë në prova apo dëshmitar, edhe kjo çështje nuk ka mundur të ndodhë për shkak se siç e thashë, brenda 24 orëve, apo 48 orëve, 90% të provave janë siguruar dhe masa e tretë është arratisja, por i njëjti ka qenë në arrest shtëpiak dhe nën përkujdesje të zyrtarëve policorë edhe kur ka ardhë për t’u intervistuar në prokurori, në cilësinë e të pandehurit dhe njëkohësisht ne kemi qenë në fazën finale të veprimeve hetimore dhe kemi ngritur aktakuzën në muajin qershor,” ka deklaruar Nikçi për emisionin MAT në Klan Kosova. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
Kosova Pritën krejt natën në aeroport, i kishte blerë vajzës dhuratë biletën e falsifikuar (VIDEO) 09/07/2025