Sarri: Pash 10 minuta lojën Kosovë-Andorrë, 22 lojtarë gjendeshin në zonën e penaltisë NULL NULL 01.04.2023 17:49 01.04.2023 17:49 Trajneri italian, Maurizio Sarri, nuk është fans i ekipeve kombëtare. Këtë ai e rikonfirmoi edhe në konferencën për media para ndeshjes Monza-Lazio, e cila zhvillohet të dielën. Tekniku i Lazios, duke iu përgjigjur pyetjes për mosftesën e Mattia Zaccagnit nga trajneri i kombëtares italiane, Roberto Mancini, tha: “Nuk më interesojnë ekipet kombëtare, thjesht më duket çmenduri”, raporton Klankosova.tv. Por, ndonëse thotë se nuk shikon asnjë ndeshje të kombëtareve, ai pranoi se ka parë 10 minuta të ndeshjes Kosovë-Andorrë. Për këtë ndeshje, ai tha se ishte çmenduri kur ka parë 22 lojtarë në zonën e penaltisë. “Nuk e kam shikuar asnjë ndeshje, vetëm 10 minuta të ndeshjes Kosovë-Andorrë teksa po i ndërroja kanalet televizive, dhe pash të gjithë 22 lojtarët në zonën e penaltisë dhe mendova, ‘Çka dreqin po ndodh?’”, tha Sarri, teksa i bëri të qeshnin të gjithë të pranishmit. “Nuk më interesojnë kombëtaret, vetëm them se me këtë kalendar, cilësia rrënohet dhe ka më shumë lëndime”, shtoi ai. Ndërkaq, ai shprehu brengën e tij se futbolli, nga sporti është shndërruar në biznes. “Të mos ankohemi nëse në 10 vjet njerëzit do të kenë gjëra më të mira për të parë sesa futbollin”, theksoi Maurizio Sarri. Kujtojmë se ndeshja Kosovë-Andorrë përfundoi me rezultat të barabartë 1-1, ndonëse djemtë tanë kontrolluan pothuajse në tërësi lojën dhe situatat sikurse ajo që e përshkroi Sarri përsëriteshin shpesh në zonën e penaltisë së Andorrës. /Klankosova.tv Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS