9:22, 4 Prill 2020

Autoritetet zgjedhore në Rusi i kanë shtyrë të gjitha votimet lokale dhe kombëtare, që kanë qenë të parapara para datës 21 qershor, për shkak të pandemisë së koronavirusit, transmeton Klan Kosova.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha të premten se të gjitha votimet do të mbahen pas 21 qershorit.

“Marrë parasysh situatën aktuale në vend dhe për shkak të sigurisë dhe shëndetit të qytetarëve, kemi konstatuar se është e nevojshme shtyrja e të gjitha zgjedhjeve dhe referendumeve deri në përmirësimin e situatës epidemiologjike në vend”, tha kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ella Pamfilova.

Më herët, presidenti rus, Vladimir Putin, nënshkroi ligjin që i lejon Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të ndryshojë datën e votimeve të planifikuara.

Rreth 100 votime kanë qenë të parapara në Rusi deri më 21 qershor.

Votimi kombëtar për ndryshimet kushtetuese – që do të hapnin mundësinë e mbetjes së Putinit në pushtet edhe për 16 vjet të tjerë – ka qenë i paraparë për 22 prill.

Putin, herë si president, herë si kryeministër, e ka udhëhequr Rusinë për më shumë se 20 vjet, shkruan Radio Evropa e Lirë.

Konkurs Pune

Lexo më shumë