Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Rumania nuk njeh Kosovën por çmimin ndërkombëtar ”Mihai Eminescu” e fiton poeti Lulzim Tafa

NULL NULL
19.09.2018 15:04

Ndonëse nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur, Rumania ka shpallur poetin kosovar Lulzim Tafën, si fitues të sivjetmë të Çmimit të parë për Letërsi, në Festivalin më të madh ndërkombëtar të poezisë ”Mihai Eminescu”.

Vendimin për ndarjen e çmimit e ka bërë të ditur juria e këtij festivali, ndërsa Lulzim Tafa ishte i vetmi pjesëmarrës i ftuar nga Kosova derisa Serbia ishte përfaqësuar me pesë poetët më të mirë të saj, transmeton Klan Kosova.

Çmimi ”Mihai Eminescu” laureat i të cilit për vitin 2018 u shpall Lulzim Tafa, është çmimi më i madh që ndan Rumania në fushën e letrësisë. Në konkurrencë për këtë çmim ishin poetët më të njohur të mbi dyzet shteteve të botës.

Ky çmim poetit Tafa iu nda për librin e tij të dytë të botuar në gjuhën rumune, i shpallur edhe libri më i mirë i autorëve të huaj të botuar gjatë vitit në gjuhën rumune.

Por pjesëmarrja e Lulzim Tafës dhe shpallja e tij fitues, ka nxitur reagime nga komuniteti artistik në Serbi.

Shtypi serb ka më tepër se dy muaj që kishte nisur një fushatë kundër pjesëmarrjes së Kosovës në këtë festival të rëndësishëm të letërsisë. Ndaj shkrimtari serb, Adam Puslojiq, i cili është edhe anëtar i Akademisë Rumune, pjesëmarrjen e Lulzim Tafës si poet nga Kosova e jo nga Serbia, e ka quajtur befasuese:

”Ky është një makth dhe një dramë njerëzore, këtë nuk e prisja nga Rumania, që është atdheu im i dytë”, kishte deklaruar Puslojiq.

Ndërkohë ka pasur edhe reagime të tjera nga poetët serbë, të cilët kishin paralajmëruar largim nga festivali duke theksuar, se ”pavarësisht se Tafa është një poet i mirë, Kosova nuk është shtet dhe ka qenë dashur të prezantohet si poet nga Serbia e jo nga Kosova”, kanë shkruar mediat serbe.

Shkrimtarët serbë madje kanë akuzuar organizatorët duke theksuar se ata nuk kanë pasur të drejtë ligjore të ftojnë poetin Lulzim Tafa, sepse Rumania nuk e ka njohur ende pavarësinë e Kosovës.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.