Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Rubio e nis turneun në Gjirin Persik për t’i forcuar aleancat, pas armëpushimit të brishtë SHBA-Iran

NULL NULL
23.06.2026 22:32

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka mbërritur në Abu Dabi, me rastin e turit të rëndësishëm në vendet e Gjirit Persik.

Vizita e tij ka për qëllim për t’i qetësuar aleatët më të ngushtë arabë të Uashingtonit, pas një marrëveshjeje të brishtë armëpushimi mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, e cila ka ngritur dyshime të reja rreth sigurisë rajonale dhe synimeve të ardhshme të Teheranit.

Turneu i Rubios në Gjirin Persik pritet të fokusohet gjithashtu në sigurinë detare, pas kërcënimeve të fundit nga elementë të linjës së ashpër në Iran për të penguar trafikun në Ngushticën e Hormuzit.

Rubio ka zbritur në aeroportin “Al Bateen”, para takimeve me udhëheqësit e Emirateve të Bashkuara Arabe, Kuvajtit dhe Bahrejnit gjatë dy ditëve të ardhshme.

Vizita vjen në një kohë të ndërlikuar për rajonin. Edhe pse eksportet e naftës dhe trafiku detar nëpër Ngushticën e Hormuzit kanë filluar të kthehen në normalitet pas disa ditësh ndërprerjesh, tensionet mbeten të larta.

Duke folur me gazetarët pas mbërritjes, Rubio ka theksuar se fokusi i menjëhershëm i Uashingtonit është konsultimi dhe jo bindja e partnerëve.

“Kemi marrëdhënie dhe partneritete afatgjata me tri vendet që po i vizitoj”, ka thënë Rubio.

Ai ka veçuar Emiratet e Bashkuara Arabe si një nga partnerët më të fortë të SHBA-së gjatë muajve të fundit.

“Në të vërtetë jemi këtu më shumë për t’i dëgjuar ata sesa për të folur. Duam t’i dëgjojmë mendimet e tyre dhe të sigurohemi që pikëpamjet e tyre të merren parasysh në çdo vendim që marrim”, ka thënë ai për REL-in.

Rubio ka përsëritur se ditëve të fundit është krijuar një bazë e mirë për përparim në zgjidhjen e çështjeve SHBA-Iran, por ka shtuar se mbetet shumë punë për t’u bërë.

“Kjo është një çështje që vazhdon prej 47 vjetësh. Ideja se mund të zgjidhet brenda një dite e gjysmë nuk besoj se është promovuar nga dikush.”, ka thënë ai.

Rubio ka kundërshtuar gjithashtu deklaratat iraniane që vënë në dyshim zotimet e bëra gjatë bisedimeve në Zvicër, duke thënë se Uashingtoni e di qartë se çfarë ka pranuar Teherani.

“Ne e dimë se për çfarë janë pajtuar ata. Tani, ose do ta zbatojnë ose jo. Dhe, nëse nuk e bëjnë, presidenti do të duhet të marrë disa vendime”, ka shtuar ai.

Ky paralajmërim nënvizon pasigurinë që vazhdon të ekzistojë rreth një prej elementeve më të debatueshme të kornizës së armëpushimit: mekanizmat e inspektimit dhe verifikimit.

Ai ka theksuar se çështjet e Hezbollahut dhe Hamasit do të bëhen në mënyrë të pashmangshme pjesë e negociatave.

“Nuk mund të ketë fund të armiqësive dhe konflikteve në rajon për sa kohë që grupet aleate të Iranit lëshojnë raketa dhe dronë nga Iraku dhe marrin pjesë në aktivitete terroriste”, ka deklaruar ndër të tjerash Rubio. /Klankosova.tv

lajme të ngjashme