Rritet konsumimi i qumështit vendor NULL NULL 09.03.2017 11:33 09.03.2017 11:33 Tash e disa muaj është lansuar edhe zyrtarisht në treg qumështi i freskët nga disa kompani prodhuese vendore dhe nga atëherë është vërejtur një rritje e madhe e konsumimit të tij. Kjo ka ardhur edhe si rezultat i fushatës promovuese që Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural po e realizon në bashkëpunim me USAID-in dhe me shoqatat e qumështarëve. Sipas të dhënave të fundit është rritur për 200 për qind shitja e qumështit të freskët vendor. Nga 4 mijë litra sa shiteshin në ditë para pak muajve, tani shitja shkon në 13 mijë e 500 litra në ditë nga 6 kompanitë prodhuese të tij. Ministri i Bujqësisë, Memli Krasniqi, thotë se krahas investimeve që do të bëjnë në këtë sektor, nisma për promovimin e qumështit të freskët do të ndikojë në avancimin e mëtejmë të kësaj industrie, duke iu ofruar konsumatorëve vendor qumësht cilësor, një treg më të mirë për prodhuesit vendor dhe një zvogëlim të importit. Janë rreth 300 milionë litra qumësht që prodhohen në vit nga mbi 180 mijë krerë lopë qumështore, transmeton Klan Kosova.