Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Rrëfimi i zjarrfikësit Shkodra në “stinën e flakëve”: Në raste rreziku mbështetemi tek njëri-tjetri

NULL NULL
nga Vanesa Zhugolli 29.06.2025 15:44

Kur flakët pushtojnë natyrën, çdo sekondë është vendimtare…

Kosova gjatë verës përballet me zjarrin në fusha, pyje, zona të tjera natyrore dhe jo rrallë edhe në objekte të tjera në të gjithë vendin. Dhe, ndërsa shikojmë nga larg pamjet shkatërruese që lënë pas këto zjarre, pak janë ata që e dinë se çfarë ndodh në vijën e parë të betejës.

Klankosova.tv, kontaktoi me Abdusamed Shkodrën, zëvendëskomandant i brigadës së zjarrfikësve, me shumë eksperiencë në terren, i cili rrëfeu për përditshmërinë, sfidat dhe ndjenjat që shoqërojnë punën e tij në “stinën e flakëve”.

Ai thotë se për të, vera është sezoni më sfidues, sepse çdo shkëndijë e vogël shndërrohet në zjarr të madh për pak minuta.

“Vera për ne është sezoni më i vështirë sepse rritet numri i zjarreve, sidomos në natyrë dhe pyje. Temperaturat e larta, thatësia dhe era e fortë e bëjnë që çdo shkëndijë e vogël të shndërrohet në zjarr të madh për pak minuta”, tha Shkodra.

Tutje, lidhur me situatat e rrezikshme në terren, Shkodra tha se më kohën mësojnë ta ruajnë qetësinë, duke u mbështetur në trajnimet, përvojat dhe tek njëri-tjetri.

Por shton se nuk kanë munguar rastet kur edhe e ka menduar braktisjen.

“Punë në ekip është gjithçka, ne i besojmë njëri-tjetrit. Ka pasur raste kur lodhja fizike, e sidomos ajo emocionale, të bën të mendosh për t’u tërhequr nga kjo punë. Por kur një familje të falënderon sepse i ke shpëtuar shtëpinë apo dikë të dashur, ndjesia është e papërshkrueshme. Ato momente të japin forcë për çdo sfidë tjetër”.

Ai shton se jo gjithmonë kanë përkrahje institucionale dhe thekson nevojën për më shumë trajnime, pajisje moderne dhe kushte të sigurta pune.

“Është një punë që kërkon shumë sakrificë. Mungon në festa, në raste familjare-ndonjëherë edhe kur vetë familja jote ka nevojë për ty. Në shumë raste na nderojnë qytetarët, por jo gjithmonë ndihemi të mbështetur nga institucionet. Na duhen më shumë trajnime, pajisje moderne dhe kushte të sigurta pune”.

Kujtojmë se, Kosova ka 739 zjarrfikës aktivë.

Rajonet më të rrezikuara nga zjarret në Prishtinë

“Në regjionin e Prishtinës, disa zona dallohen si më të rrezikuara gjatë verës. Ndër më të rrezikuarat janë: Parku i Gërmisë, zona e Mramorit, Keqekollës dhe Bërnicës, rrethina e Veternikut dhe Hajvalisë. Po ashtu, zona përreth Fushë Kosovës dhe deponitë e hapura. Në përgjithësi, zonat rurale janë më të ekspozuara”, tha Shkodra për Klankosova.tv

Mars 2025: Zjarre të shumta në Kosovë

Në mars të vitit 205, në Kosovë ishin mbi 290 raste të zjarreve për tri ditë

“Vetëm javën e parë të marsit i kemi pasë 57 raste të zjarreve, ndërsa vetëm nga data 07 deri më 10 mars kanë qenë 294 raste të zjarreve: prej tyre 75 kanë qenë malore, 156 kanë qenë zjarre fushore dhe 63 kanë qenë zjarre të tjera” – kishte deklaruar Drejtori i Agjencisë së Menaxhimit Emergjent, Genc Metaj në një Konferencë më 10.03.2025.

Dyshohet se shumica e zjarreve ishin të qëllimshme ose të shkaktuara nga njerëzit – si ndezje përmes hedhjes së mbeturinave, piknike të pakontrolluara, apo për qëllime incidente në tokë.

Sipas Sistemit Evropian të Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS), gjatë vitit 2024 në Kosovë ishin regjistruar 94 zjarre, të cilat kishin djegur gjithsej 12.079 hektarë pyje dhe shkurre.

Situata në Shqipëri

Në muajin qershor 2025, Shqipëria është përballur me një numër të konsiderueshëm vatrash zjarri, të cilat kanë ndodhur kryesisht në zona malore dhe rurale.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile e Shqipërisë, ka bërë të ditur se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 58 vatra zjarrit, ku sipas saj, vetëm një është ende aktive.

Nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile, thuhet se tetë vatra zjarri janë raportuar në qarkun e Lezhës, të cilat janë shuar brenda pak orësh. Deri më tani nuk raportohet për viktima, por flakët kanë djegur kullota, barishte dhe sipërfaqe pyjore./Klankosova.tv

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.