Rrëfim nga masakra e Mejës, në kujtim të atyre që ranë për të mos vdekur - Klan Kosova


Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Rrëfim nga masakra e Mejës, në kujtim të atyre që ranë për të mos vdekur

NULL NULL
27.04.2023 16:52
Filip

Sot është shënuar 24-vjetori i masakrës së Mejes së Gjakovës, ku liderët shtetërorë e qytetarë të shumtë zbarkuan në Kompleksin Memorial ”Lëndina e Pikëllimit”, për të nderuar viktimat nga regjimi gjenocidal i Sllobodan Millosheviqit.

Një copë rrëfimi të përjetimit të kësaj mizorie e ka ndarë për ndjekësit në rrjetin facebook, Jeton Sokoli.

”…ne vazhduam për në rrugën kryesore, ku pak metra më larg iu bashkuam një turme të madhe njerëzish; pleq, gra e fëmijë, aty u ribashkuam me Shpëtimin.

Shpëtimi është vëllai im i dytë, ai atë mëngjes ishte dërguar nga babai te baci Simon e baci Kristë, që t’u tregojë se jemi rrëthuar nga policia serbe dhe se duhet të iknin sa më shpejt.

Por duket se gjithçka ishte vonë, ata ishin kapur nga forcat serbe dhe ishin renditur për rresht në livadh bashkë, pra baci Simon, baci Kristë, Kastrioti (16 vjeç) dhe Shpëtimi (16).

Kur lokja, gratë e fëmijët po largoheshin nga shtëpia, Shpëtimi kap për krahu loken, duke pretenduar se po i ndihmon dhe kështu ai shpëton jetën.

Në turmë u bashkuam gjithë familja Sokoli, duke qarë e përqafuar secili. Kur unë e takova Shpëtimin, u gëzova shumë sepse mendoja se edhe ai ishte vrarë, e duke u përqafuar i thashë: “E kanë vra babën”.

Turma sa vinte e rritej, u bë kolonë. Pleq, gra e fëmijë të vegjël, të gjithë këmbë, të gjithë një rrugë kishim përpara, atë për Shqipëri.

Dikush kishte arritur të merrte një çantë krahu apo dore, pak bukë me vete, ndërsa ne si familje, nuk kishim afat të merrnim asgjë, vetëm rrobat e trupit. Ajo që më mbet merak është se nuk i mora me vete fotografitë e familjes. Aty kishim gjitha kujtimet si fëmijë, por mbi gjitha kishim fotografitë me babën.

Kur mbërritëm në dalje të Gjakovës, rruga për Prizren, policia serbe ndali kolonën. Ata po shqyrtonin mundësitë se nga cila anë e kufirit duhet të iknim, por të shihnin mos iu ka shpëtuar ndonjë burrë. Syri vrastar ishte mbi të gjithë ne.
Kurrë nuk do ta harroj, kur pashë komshiun tonë të parë serb, Dragan Prenticin, i cili ishte përpara timonit dhe kishte një letër dhe një laps në dorë. Ai po vëzhgonte me kujdes se kush ishte në kolonë. Jam i sigurt se ai ishte i përfshirë në masakër.

Gruaja e tij, Jovanka, vetëm dy javë më përpara, i kishte thënë nënës se: “Do t’ju djegim të gjithëve”, dhe ja ku ishte burri i saj, duke u siguruar që ai kërcënim të bëhej realitet. Pra kërcënimi ishte PLAN I DETAJUAR që tani po ekzekutohej në detaje nga i gjithë aparati i shtetit serb.

Kur mbërritëm në Xërxe, aty na u bashkuan disa makina të ushtrisë serbe, ku na urdhëruan të ndaleshim. Ne u ndalem aty rrëzë një kodre plot gurë e ferra. Ishim të trishtuar, shumë veta ende po qanim dhe në shok të asaj që po ndodhte.
Kurrë nuk do ta harroj se si gruaja e axhës, Dada Mari, nxori bukën që kishte arritë me marrë për katër djemtë e saj të vegjël dhe e ndau edhe me ne të tjerët. Ajo tha: “Nuk kam shumë, por këtë që kam do ta e ndaj edhe me ju”. Një grua dhe një nënë e jashtëzakonshme.

Në këtë moment, ushtria na jep urdhër të kthehemi në Mejë, u bë një huti e madhe, një frikë e madhe se mos po na kthenin për të na masakruar edhe ne. Por nën breshërinë e automatikut në ajër, na sinjalizuan të ikim sa më shpejt për Shqipëri.
Na zuri nata, pak para se të linim qytetin e Prizrenit. Tani kolona jonë kishte kaluar më shumë se 1500 veta. Tani shumica ishim të lodhur, pa ngrënë, pa pirë, e duke ecur në këmbë.

Mama kishte Liridonin në gji, i cili ishte vetëm 3-muajsh, gjatë gjithë kohës ishte i qetë, ndoshta se ishte duke parë qiellin më shumë se asnjëherë tjetër. Ndoshta se përkundej në krahë të mamës dhe motrës së madhe Donikës disa herë. Ndoshta Zoti kishte dërguar engjëllin e tij mbrojtës dhe po e mbronte në këtë mënyrë.
Shpëtimi disa herë kishte marrë loken në shpinë, ajo ishte e moshuar dhe nuk mund të ecte. Kur një kolonë tjetër me traktorë na arriti, ne njohëm dikë dhe kërkuam të bënin pak vend në traktor e ta merrnin nënëloken se ndryshe nuk do ia dilte gjallë.

Pastaj Shpëtimi gjeti një karrocë dhe e mbushi plot fëmijë të vegjël, të cilët nuk mund të ecnin. Shpëtimi, një 16-vjeçar, por me një zemër më të madhe se mosha e tij. Emri i tij atë ditë kishte marrë më të vërtetë kuptimin e tij, në praktikë; u shpëtua, por edhe po shpëtonte të tjerë.

Natën, vendosëm të ulemi pak të pushojmë, ishim të dërrmuar, por pas pak minutave makina të policisë dhe ushtrisë kalojnë, gjuajnë breshëri automatiku në ajër dhe na kërkojnë të nisemi sa më parë për rrugë. Pra ne ishim gjithmonë nën përcjelljen e kriminelëve.

Baci Pashk, afro 60-vjeç atë kohë, mrekullisht kishte arritur t’i shpëtonte syrit vrastar serb. Ai tashmë kishte një mision të madh mbi supe; t’i printe e drejtonte kolonën e madhe, tashmë refugjatësh, drejt kufirit Kosovë – Shqipëri – Morinë.

Ai ishte si Moisiu që po kalonte popullin e Izraelit nëpër tokën e thatë të detit të hapur.

“Baci Pashk, edhe sa mbërrijmë në Shqipëri?
Edhe pak bacë, a e sheh atë bjeshkë?
Po e shoh bacë.
Pas asaj bjeshke është kufiri.”

Normal që nuk ishte, por ai si burrë i urtë, na jepte kurajë e zemër, se matanë asaj bjeshke do mbërrinim në tokën e lirë të Shqipërisë.
“Bac, a jemi gati?
Edhe pak, bac”.

Thashë më herët se kam vetëm dy fotografi të babës, të cilin shpesh e shoh në ëndërr. Para 4 netësh e pashë në ëndërr, nuk e njoha, kishte ndryshuar, ishte plakë, ishte plakë e unë nuk e kisha pa. U mërzita e më mbeti hatri.

Ia kam harru zanin se si e ka pasë, e besa shpesh edhe fytyrën.

Në përkujtim të babës tim të dashur, heroit tim, Filip Sokolit, axhës Simon dhe Kristë Sokolit, axhës Gjergj Sokoli dhe djalit të axhës, Kastritotit tonë të ri e të dashur dhe atyre që ranë për të mos vdekur kurrë.

27 prill 2023.

Këtë ngjarje, Jeton Sokoli e ka përmbledhur në tregimet e tij në ”Fragment nga jeta”.