Rizvanolli kërkon nga BE të mos e lë anash Kosovën në krizën energjetike (VIDEO) NULL NULL 12.10.2022 20:37 12.10.2022 20:37 Kriza energjetike i bëri bashkë ministrat evropianë të këtij dikasteri. Nikoqire është Presidenca Çeke që e ka ftuar edhe kosovaren Artane Rizvanolli. Ministrja po kërkon që vendi i saj të mos lihet anash, edhe pse s’është anëtar i BE-së. “Shpresojmë se masat që po i ndërmerr Bashkimi Evropian do të na përfshijnë dhe neve dhe të kenë efekt pozitiv te ne. E dimë se kjo do të varet shumë nga mënyra se si ato janë dizajnuara, nga zbatueshmëria e tyre në vendet tona dhe nga mënyra se si janë dizajnuar në shtetet evropiane në fakt do të ketë ndikim rrjedhës në vendin tonë”, u shpreh ajo në paraqitjen para takimit. Rizvanolli më pas tregoi se ka kërkuar nga Unioni t’i bëjë presion Serbisë për zhbllokimin e linjave të transmisionit me Kosovën, para dimrit, si dhe të përfitojë nga të gjitha masat e BE-së. Nuk dihet nëse këto kërkesa janë përkrahur nga evropianë. Në konferencën pas takimit të së mërkurës, u tha se javën tjetër do të merren masa që reduktojnë konsumin e gazit për prodhim të energjisë. Për çfarëdo që merren vesh, Komisioni Evropian po kërkon unitet nga të gjithë anëtarët. “Ne do të shohim gjatë fundjavës se si mund të vazhdojmë me kufizimin e gazit për prodhimin e energjisë – nëse kjo është në atë fazë që mund të themi se ka një shumicë të gjerë të shteteve anëtare që mbështesin këtë masë”, tha Kadri Simson, komisionere evropiane për Energji. Këtu u përmend angazhimi në efiçiencë të energjisë, për të cilën edhe Kosova kërkoi ndihmë financiare nga BE.