Rama: Zgjatja e Vettingut domosdoshmëri, nuk është diçka për t’u negociuar

Rama: Zgjatja e Vettingut domosdoshmëri, nuk është diçka për t’u negociuar

NULL NULL
2 months më parë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama u pyet këtë të premte nga gazetarët nëse ka ndonjë “pazar” me kryedemokratin Lulzim Basha për zgjatjen e mandatit të organeve të Vettingut. Kreu i qeverisë tha se zgjatja e Vettingut është domosdoshmëri dhe e bazuar në partneritetin e ngushtë me partnerët ndërkombëtarë.

“Zgjatja e mandatit të organeve të Vettingut është një domosdoshmëri, e cila vjen si rezultat i një procesi që e ka treguar se sa i vyer është për pastrimin e llumit nga sistemi i drejtësisë dhe për nxjerrjen në pah të njerëzve me integritet dhe ky proces nuk mund të ndërpritet. Nga ana tjetër ju kujtoj që Reforma në Drejtësi është një reformë e bazuar tek një partneritet shumë i ngushtë, i pandërprerë dhe i padiskutueshëm me partnerët tanë strategjik, aleatët tanë strategjike SHBA, dhe BE. Këtu besoj që vija është shumë qe qartë”.

Por a do të negociojë mazhoranca me opozitën reformën territoriale për zgjatjen e Vettingut?

Rama u përgjigj se, “Reforma në drejtësi nuk është diçka për t’u negociuar, por për t’u kryer, besoj se në këtë pikë është e qartë që kthim mbrapa nuk ka,  qëndrim në vendnumëro nuk ka dhe kush i bie ndesh Reformës në Drejtësi i bie ndesh interesave të vendit, i bie ndesh aleancave strategjike të vendit, i bie ndesh të ardhmes së vendit

Këto nuk janë të lidhur me njëra-tjetrën. Reforma në Drejtësi nuk është kërkesë partiake, por kërkesë historike, është kërkesë kombëtare, është kërkesë e të gjithë fëmijëve të këtij vendi. Të tjerat janë të gjitha çështje që mund të diskutohen, jemi të gatshëm të diskutojmë çdo gjë me PD, e kam thënë që ditën e parë, por njëra me tjetrën nuk ka lidhje fare”.

Partia Socialiste ka mbledhur mëngjesin e kësaj të premteje Kryesinë. Pjesë e këtij takimi ka qenë edhe kryeministri Edi Rama, i cili në fund pati një prononcim për mediat. Ai tha se do të thellohet vija e kuqe e vendosur në Kongresin e partisë ku punësimet dhe drejtoritë nuk janë pronë e Partisë Socialiste, por e popullit shqiptar.

“Njëkohësisht për një proces tjetër të ri transformimi të brendshëm dhe hapjeje. Në bazë të disa vendimeve, puna në territor do të zhvillohet paralelisht për analizat e rezultateve qendër për qendër, për të verifikuar cilësinë e përfshirjes së gjithë anëtarëve të PS në zgjedhje në raport me rezultatet dhe njëkohësisht për ta hapur partinë për prurje të treja nga shoqëria, pavarësisht moshës, dhe për të krijuar një bazë të re për të ecur më tutje. Ajo që do të nënvizoja si shumë të rëndësishme edhe nga kjo mbledhje dhe që falë jush do ta ndaja me të gjithë publikun, por në radhë të parë me të gjithë familjen tonë politike në territor, është që një vijë e kuqe e cila është vendosur fort në Kongresin e partisë dhe do të thellohet në vijimësi është se punësimet dhe drejtoritë nuk janë pronë e Partisë Socialiste, janë pronë e popullit shqiptar dhe janë funksion i qeverisë dhe i gjithë strukturave ekzekutive të Republikës së Shqipërisë bazuar në Kushtetutën dhe ligjet në fuqi. Ta kenë të qartë këtë gjë, kjo nuk është propagandë. Kjo është vija ndarëse që do të na garantojë kalimin në një nivel tjetër të vetë cilësisë dhe të qasjes së gjithë administratës shtetërore në raport me publikun. Nëse në shërbimin civil tanimë kemi garantuar që proceset e rekrutimeve janë procese që kalojnë në kanale ligjore përmes konkurseve të organizuar DAP, të cilat janë në këndvështrimin tim procese me integritet dhe si rezultat i këtyre proceseve shumë njerëz kanë mundur të marrin atë që u takojnë, në pjesën tjetër të administratës kemi një problematikë serioze, të trashëguar në 30 vjet, por që duhet ta qasim me forcë dhe me vendosmëri. Kjo është e prerë dhe për këtë do të angazhohemi të gjithë”, tha Rama.

Kreu i qeverisë tha se deputetët nuk janë punëdhënës apo zyra pune.

“Nuk dua të hyj në thashetheme që dalin rrugëve dhe që marrin forma nga më të ndryshëm nga mbledhje që mund të kenë përmbajtje krejt tjetër, por ajo që dua të them është se deputetët janë aty për t’u shërbyer komuniteteve dhe janë aty për t’u shërbyer popullit. Janë për të përçuar mesazhet e nevojshme tek njerëzit, për të dëgjuar njerëzit dhe për të sjellë në grupin parlamentar dhe në veshët e të gjithë anëtarëve të qeverisë shqetësimet e njerëzve. Deputetët nuk janë punëdhënës, as zyra pune dhe kjo do të jetë një vijë e kuqe. Nuk diskutohet. Proceset se si organizohet puna e shtetit dhe si rekrutohen njerëzit dhe se kush merr përgjegjësi në administratë janë procese që rregullohen nga ligjet dhe u takojnë strukturave të shtetit e jo deputetëve”, tha Rama./tvklan