Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Rama: Nëse anëtarësohemi në BE, momenti i duhur për të dorëzuar stafetën

NULL NULL
26.06.2025 13:30

Plani i Mbretërisë së Bashkuar për të dërguar azilkërkuesit e refuzuar në “qendra kthimi” në vende të treta tregon se Britania pas Brexit-it është “në pozitë dëshpëruese”. Kështu ka deklaruar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një intervistë për gazetën britanike “The Guardian”.

Në intervistën e tij të parë me median ndërkombëtare pasi e çoi partinë socialiste drejt një mandati historik të katërt radhazi, Edi Rama tha se ideja që Britania të “kërkojë vende për të braktisur emigrantët” do të ishte e paimagjinueshme një dekadë më parë.

Por, shtoi ai, kjo përputhej me ndryshimin e diskursit publik në Britani pas Brexit-it, ku “gjërat totalisht të papranueshme, totalisht qesharake, totalisht të turpshme” ishin normalizuar, përcjell A2 CNN.

Skema e “qendrave të kthimit”, e shpallur muajin e kaluar nga Keir Starmer gjatë një vizite në Shqipëri, parashikon ngritjen e qendrave në një vend të tretë ku do të përpunoheshin kërkesat për azil të personave që i kanë shteruar të gjitha rrugët ligjore në Mbretërinë e Bashkuar.

“Është një nga ato gjëra që 10 vjet më parë nuk do të kishin qenë të imagjinueshme… që Britania do të kërkonte vende për të lënë emigrantët”, tha Rama nga Tirana. “Fakti që sot kjo është jo vetëm e imagjinueshme, por edhe po ndodh, nuk është sepse Keir Starmer apo [Rishi] Sunak po bëjnë diçka skandaloze; është sepse vendi (Britania) ndodhet në një pozitë shumë dëshpëruese”.

Rama, i njohur për qëndrimet e tij të drejtpërdrejta dhe shpesh kundër rrymës – shkruan The Guardian –  shprehu shqetësim për nivelin e diskursit publik në Britani. Si një anglofil i përkushtuar, tha se i dukej e vështirë ta pranonte këtë realitet.

“80% e gjërave që thuhen, shkruhen, apo pranohen si pjesë normale e diskursit në Britaninë e sotme, janë gjëra që [para Brexit-it] do të ishin totalisht të papranueshme, qesharake, të turpshme”, tha ai.

Marrëdhëniet midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë ishin tensionuar gjatë qeverive konservatore të mëparshme, të cilat shpesh përmendnin emigrantët shqiptarë si pjesë të krizës së kalimeve me varka në Kanalin e La Manshit.

Vizita e Starmer në maj – e para ndonjëherë nga një kryeministër britanik – synonte të vendoste një themel të ri në marrëdhëniet bilaterale. Ndërsa ndodhej në Tiranë, lideri i Laburistëve tha se po zhvilloheshin bisedime “me një numër vendesh” për të ngritur qendrat. Por, në një deklaratë që u pa si një qortim i lehtë për mysafirin, Rama tha në një konferencë të përbashkët për shtyp se Shqipëria nuk do të merrte pjesë në këtë skemë.

Duke dashur të sqarojë çështjen në intervistë, Rama tha se Starmer, një “njeri shumë i sjellshëm dhe i këndshëm”, nuk e kishte bërë publikisht kërkesën dhe se nuk ishte as lideri i parë britanik që e kishte ngritur këtë temë në mënyrë private. Sipas Ramës, përgjigjja e tij kishte qenë gjithmonë e njëjtë: “Kam qenë i qartë për këtë që kur ma kërkoi Boris Johnson dhe Rishi… gjithmonë kam thënë jo”.

Rama pranoi se Shqipëria kishte rënë dakord për një skemë të ngjashme me kryeministren italiane Giorgia Meloni, por sipas tij kjo ishte ndryshe për shkak të “marrëdhënies shumë të veçantë” mes dy vendeve. Ajo marrëveshje parashikon ndalimin e emigrantëve në det dhe dërgimin e shumicës së tyre jo në Itali, por në një qendër pritjeje në Shqipëri, ku do të shqyrtohen kërkesat e tyre për azil. Megjithatë, marrëveshja është bllokuar deri tani për shkak të sfidave ligjore.

Që prej rënies së regjimit stalinist në vitin 1991, Italia ka qëndruar pranë Shqipërisë, tha Rama. Si rezultat, shqiptarët “kanë një pikë të dobët” për Italinë.

“Praktikisht jemi një komb i ndarë në dy shtete të pavarura… Italia ka qenë aty për ne në çdo moment të errët që nga dita kur dolëm nga ferri i të qenit Koreja e Veriut e Europës”, shtoi ai. “Kështu që kur Italia na kërkon diçka, ne themi po, pikë”.

“Nëse anëtarësohemi në BE, momenti i duhur për

Qëndrimi i Ramës vjen në një moment vetëbesimi të ri për Shqipërinë, ndër shtetet më të varfra të Europës, e cila po bën hapa që dikur dukeshin të pamundur drejt anëtarësimit në BE, shkruan The Guardian. Me një ritëm dhe ton të ndryshuar ndjeshëm, që ai ia atribuon “frymës së re të drejtuar nga gjeopolitika” pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, negociatat e anëtarësimit janë përshpejtuar, ndërsa Brukseli më në fund po përpiqet të përqafojë Ballkanin Perëndimor, një rajon që Moska e sheh si pjesë të sferës së saj të influencës.

Rama vëren një efekt të ngjashëm në BE edhe nga banori i ri i Shtëpisë së Bardhë dhe është “100% i bindur që fitorja e Donald Trump është një gjë e mirë për Europën”. Ai tha se fitorja e Trump-it e kishte zgjuar Europën nga letargjia dhe kishte sjellë “një frymë shqetësuese” që bota kishte nevojë.

“Kur Trump thotë se Zoti e shpëtoi sepse kishte një plan për Amerikën, ai thotë vetëm gjysmën e së vërtetës. Zoti e shpëtoi sepse kishte një plan edhe për Europën – për ta zgjuar”, u shpreh Rama.

Më vonë këtë vit, kryeministri shqiptar, dikur piktor dhe basketbollist (me gjatësi 2.01 metra), do të nisë një “tur falënderimi” për komunitetet e diasporës, të cilat për herë të parë mundën të votonin në zgjedhjet e fundit, duke ndihmuar në arritjen e fitores plebishitare. Vetëm në Greqi besohet se jetojnë mbi 500 mijë shqiptarë. Shpresa e Ramës është t’i tërheqë ata mbrapsht “sepse tani pagat tona janë shumë pranë atyre të Greqisë dhe ky është vendi i tyre”.

Megjithatë, kreu i Partisë Socialiste ka edhe kritikë. Akuzat për korrupsion në shoqërinë shqiptare janë të përhapura, ashtu si edhe akuzat për autoritarizëm në rritje – Rama do të jetë kryeministri më jetëgjatë që nga diktatori Enver Hoxha – por përkrahësit dhe burokratët e Brukselit i quajnë këto pretendime qesharake.

Një ish-ministër i BE-së ka thënë: “Edi është më i madh se vetë jeta. Problemi i tij është se ai është shumë i madh për vendin e tij dhe nuk e kam fjalën për gjatësinë”, shkruan The Guardian.

Nëse Shqipëria e arrin objektivin për anëtarësim, Rama tha se do të ishte “momenti i duhur dhe më i mrekullueshëm për të dorëzuar stafetën”. Do të ishte një arritje personale, por edhe një ndihmesë që “Europa të jetë më pak e mërzitshme dhe më diellore”.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.