Rama e quan goditje kriminale sulmin në Ibër Lepenc: BE-ja të heqë menjëherë sanksionet ndaj Kosovës NULL NULL 30.11.2024 10:51 30.11.2024 10:51 Arkiv: Edi Rama. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka shkruar për sulmin në Ibër Lepenc duke thënë se është një krim i rëndë, që cenon jetën e qytetarëve të Kosovës, Ai këtë e quajti goditje kriminale dhe u shpreh se duhet zbardhur e ndëshkuar sa më parë me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, përcjell Klankosova.tv. “Akti i sabotazhit mbi infrastrukturën kritike të furnizimit me ujë në kanalin e Ibër Lepencit është një krim i rëndë, i cili cënon jetën e qytetarëve të Kosovës dhe godet procesin e normalizimit të marrëdhënieve në rajonin tonë, ku të gjitha shtetet janë të përfshira në rrugën e integrimit në Bashkimin Europian. Kjo goditje kriminale duhet zbardhur e ndëshkuar sa më parë me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë”, tha ai. Rama gjithashtu tha se BE-ja duhet të heqë menjëherë sanksionet e mbetura ndaj Kosovës dhe siç u shpreh, të riangazhohet në një format të ri dialogu për normalizim mes Kosovës dhe Serbisë. “Formati ekzistues ka dështuar të prodhojë rezultatet e dëshiruara dhe është koha që çështjet e dialogut të kalojnë përmes marrëdhënieve bilaterale të BE-së me Kosovën apo Serbinë, si dy shtete njësoj të pavarura prej njëra-tjetrës, ku fati europian i secilit shtet s’mund të varet nga dëshirat a mosdëshirat e shtetit tjetër; ashtu sikundër fati europian i krejt rajonit s’mund të varet nga mosnjohja e Kosovës nga Serbia apo 5 shtete anëtare të BE-së”, u shpreh tutje ai. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.