Qeveria ‘zbut’ vendimin për targat, e shkallëzon kthimin e KM-ve në RKS NULL NULL 28.10.2022 17:27 28.10.2022 17:27 Foto e përpunuar nga Klankosova.tv. Qeveria e Kosovës e ka ‘zbutur’ vendimin për konvertimin e targave ilegale serbe në ato RKS. Kryeministri Albin Kurti, në mbledhjen e qeverisë, propozoi shkallëzimin e sanksioneve për të gjithë ata që nuk konvertojnë targat ilegale serbe në ato të Republikës së Kosovës. Nga 1 nëntori deri më 21 nëntor do të vlejë masa e qortimit, nga 21 nëntori deri më 21 janar do të jetë në fuqi masa e gjobitjes, dhe nga 21 janari deri më 21 prill do të ketë targa provuese. Shefi i qeverisë kosovare deklaroi se pas datës 21 prill nuk mund të ketë targa të tjera në Kosovë, pos atyre RKS, njofton Klankosova.tv. “Targat PR, KM, PZ, GL, UR, PE, apo GJA janë targa ilegale. Qeveria e Republikës së Kosovës përmes vendimit ka obliguar pronarët e mjeteve me targa ilegale që të njëjtat t’i kthejnë në targa zyrtare RKS”. “Ne kemi zhvilluar diskutime edhe të brendshme edhe me ministrinë e linjës dhe organet e tjera të sigurisë dhe kemi ardhur në përfundim që të sjellim për propozim një vendim që bën sekuencim dhe shkallëzim të sanksioneve me rastin e zbatimit të këtij vendimi. Më konkretisht për tri javë, duke filluar nga data 1 nëntor deri më 21 nëntor, masa do të jetë ajo e qortimit, nga 21 nëntori për dy muaj deri më 21 janar do të jetë masa e gjobitjes, dhe më pas nga 21 janari do të kemi targa provuese për tre muaj të tjerë deri më 21 prill. Nga 21 prilli nuk mund të ketë, sepse nuk mund të lejohen targa të tjera në Republikën e Kosovës”. Kurti deklaroi se nëpërmjet këtij sekuencimi dhe shkallëzimi tregojnë seriozitetin për zbatimin e vendimit dhe iu japin shansin atyre që duan të integrohen. “Kjo është mënyra që edhe ta zbatojmë rendin dhe ligjin, por edhe ta kemi përgjigjën tonë për ndjeshmërinë e shtuar edhe ndërkombëtare sa i përket paqes e sigurisë në vendin tonë, por jo vetëm”./Klankosova.tv *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
Kosova Dërguti: KQZ-ja s'e ka vërejtur se faqja e tyre është sulmuar dy ditë para zgjedhjeve 14 orë më parë