PZAP aprovon ankesën e Listës Serbe, anulohet moscertifikimi i saj NULL NULL 25.12.2024 16:31 25.12.2024 16:31 Lista Serbe Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) i Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) ka aprovuar ankesën e subjektit politik Lista Serbe në lidhje me moscertifikimin në KQZ-së për votimet e 9 shkurtit, 2025. Në vendimin që e ka siguruar Klankosova.tv, thuhet se ankesa e Listës Serbe është aprovuar dhe njëherësh është anuluar njoftimi i KQZ-së i datës 23 dhjetor, 2024, ku thuhej se ky subjekt politik nuk certifikohet. “ANULOHET njoftimi i Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), i datës 23.12.2024, URDHËROHET Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ), ta certifikon subjektin politik Lista Serbe dhe kandidatëve të këtij subjekti politik, sipas rekomandimit të Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të subjekteve politike në KQZ të datës 22.12.2024, për Zgjedhje për Kuvendin e Republikës së Kosovës që do të mbahen më datën 09 shkurt, 2025”, thuhet në vendimin e PZAP-së të marrë sot, më 25 dhjetor, raporton Klankosova.tv. PZAP thotë se “nga shqyrtimi i shkresave të lëndës, rezulton se: subjekti politik Lista Serbe, me kandidatët e saj për deputet për Kuvendin e Republikës së Kosovës që do të mbahen më datën 09.02.2025, ka përfunduar aplikimin për certifikim si subjekt politik përfshirë edhe listën e kandidatëve në Zyrën për Regjistrim, Certifikimin dhe Kontrollin Financiar të subjekteve politike në KQZ”. Sipas rekomandimit të datës 22.12.2024 të Zyrës së lartcekur, PZAP thitë se është rekomanduar se subjekti politik Lista Serbe, së bashku me kandidatët e vet i ka plotësuar kushtet ligjore për t’u certifikuar për pjesëmarrje në Zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës që do të mbahen më datën 09 shkurt, 2025. “Paneli, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, qëndrimin dhe përfundimin e KQZ-së, të përshkruar si në njoftimin e datës 23.12.2024, nuk mund ta pranojë si të drejtë dhe të ligjshëm një qëndrim të tillë meqenëse i njëjti është në kundërshtim me dispozitat ligjore që i referohen aplikimit dhe certifikimit të subjekteve politike, më konkretisht nenit 16 të LZP-së, i cili përcakton Kushtet për certifikimin e subjekteve politike të cilat, subjektet politike duhet të plotësojnë në mënyrë që të marrin pjesë në zgjedhje. Në nenin 16, paragrafi 5, parashihet se ‘KQZ-ja e certifikon subjektin politik me të drejtë pjesëmarrjeje nëse i njëjti e dorëzon aplikimin e plotësuar, në formën e përshkruar dhe në datën e vendosur nga rregullat e KQZ-së’”, thuhet në vendimin e PZAP-së. Anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, në mbledhjen e KQZ-së të datës 23 dhjetor, votuan kundër certifikimit të Listës Serbe për zgjedhjet e 9 shkurtit të vitit të ardhshëm. Në mbledhje, i vetmi që votoi pro certifikimit të këtij subjekti politik ishte kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi. Partitë tjera opozitare nuk morën pjesë në votim. Arsye për moscertifikimin e saj, nga partia në pushtet u tha se ky subjekt politik i serbëve nuk e njeh shtetin e Kosovës, dhe atij nuk i referohet me emrin zyrtar, por si “Kosova dhe Metohia”. /Klankosova.tv VENDIMI I PLOTË: *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
Ekonomi Lidhja e Bizneseve kërkon sërish pezullimin e vendimit të ZRrE-së: Dëmton rëndë prodhuesit vendorë 42 minuta më parë