Putin në sulm ndaj NATO-s: Jemi të vetëmjaftueshëm, do i kundërvihemi të gjitha kërcënimeve NULL NULL 19.06.2025 09:44 19.06.2025 09:44 Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi të enjten se shtimi i shpenzimeve të NATO-s për mbrojtjen nuk përbën një “kërcënim” për Rusinë, vetëm disa ditë para se aleanca të miratojë një plan për të rritur kapacitetet ushtarake në të gjithë Evropën. Në një konferencë shtypi të mbajtur natën vonë në Shën Petersburg, Putin theksoi se trupat ruse do të vazhdojnë ofensivën në Ukrainë dhe vuri në dyshim legjitimitetin e presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy, transmeton klankosova.tv. ”Ne nuk e konsiderojmë si kërcënim për Federatën Ruse asnjë riarmatimi nga NATO, sepse jemi të vetë-mjaftueshëm përsa i përket sigurimit të sigurisë sonë”, tha Putini në një konferencë shtypi të transmetuar drejtpërdrejt nga Shën Petersburgu. “Ne do t’i kundërvihemi të gjitha kërcënimeve që dalin. Nuk ka asnjë dyshim për këtë”, shtoi Putini. Takimi i rëndësishëm i NATO-s do të mbahet javën e ardhshme në Hagë, ku do të diskutohet propozimi për të rritur shpenzimet e mbrojtjes deri në 5% të PBB-së, nën presionin e presidentit amerikan Donald Trump. Putin theksoi se Rusia është e “vetë-mjaftueshme” në sigurinë e saj dhe po modernizon vazhdimisht forcat e armatosura. Ai shtoi se, edhe pse rritja e shpenzimeve nga NATO paraqet disa sfida “specifike”, ato nuk janë të pakapërcyeshme për Rusinë, raportojnë mediat franceze, transmeton Klankosova.tv. Lidhur me luftën në Ukrainë, Putin tha se trupat ruse po avancojnë çdo ditë në vijën e frontit dhe se ofensiva do të vazhdojë. Ai gjithashtu sugjeroi se mund të takohej me Zelenskyy, por vetëm në “fazën përfundimtare” të negociatave për paqe. Megjithatë, ai vuri në dyshim të drejtën e Zelenskyyt për të nënshkruar një marrëveshje paqeje, duke pretenduar se mandati i tij pesëvjeçar ka përfunduar, një pretendim që Kievi e ka hedhur poshtë si propagandë. Rusia ka hedhur poshtë kërkesat për një armëpushim të plotë dhe pa kushte, duke kërkuar që Ukraina të heqë dorë nga territori dhe mbështetja perëndimore, kërkesa që Kievi i ka quajtur “ultimatume”. Ndërkohë, Rusia ka shtuar sulmet ajrore mbi Ukrainën. Më 19 qershor, një sulm në Kiev vrau të paktën 28 persona, sipas autoriteteve ukrainase. Megjithë dëshmitë për viktima të shumta civile, Putin mohoi që ushtria ruse të ketë në shënjestër zonat civile. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.