Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Pse Amerika nuk ka ambasador në Kosovë?

NULL NULL
nga Vanesa Zhugolli 19.06.2025 11:15

Mungesa e ambasadorit amerikan në Kosovë është sfidë për politikën e jashtme dhe raportin me Serbinë.

Kështu deklaroi për Klankosova.tv ish-diplomati Amir Ahmeti, i cili shton se në situatën në të cilën gjendet vendi, është thelbësore një shef diplomatik amerikan në Kosovë.

“Shumë është e rëndësishme që Kosova në situatën në të cilën gjendet, sidomos pa e fitu në një ulëse në OKB, ende ne nuk po mund të funksionojmë si shtet normal. Në këtë rast shteti kryesor i përkrahjes së pavarësisë sonë, ShBA, mungesa e ambasadorit amerikan tek ne është kogja sfiduese për politikën tonë, sidomos në politikën e jashtme dhe në raport me Serbinë”, tha Ahmeti.

Presidenti amerikan, Donald Trump, në mars nominoi Mark Brnovichin si ambasador të Shteteve të Bashkuara në Serbi.

Sipas Ahmetit, Bronovich, i cili ka prejardhje serbe do t’ia mbajë anën e origjinës së prindërve të vet, në këtë rast Serbisë.

“A do të kemi fat që Trump ta dërgojë një ambasador me origjinë shqiptare kjo do të jetë shumë e rëndësishme por mbetet të shihet, shqetësuese është që për Serbinë qysh në muajin mars është nominuar kandidati për ambasador, ndërsa për Kosovën ende nuk është bërë as propozimi. Kjo nuk është shenjë e mirë”, tha Amir Ahmeti për Klankosova.tv

Në anën tjetër, ish-diplomati Blerim Canaj mbi arsyen se pse Amerika nuk ka ambasador në Kosovë konstaton se Kosova nuk është prioritet i administratës amerikane.

Në një deklaratë për Klankosova.tv, ai thotë se fokusi i Amerikës në këtë situatë gjeopolitike është në Ukrainë dhe në Lindje të Afërt dhe të Mesme.

Përmendja e Kosovës në një mesazh në rrjetin social “Truth Social” nga presidenti amerikan Donald Trump, ofron mundësi të emërimit të një ambasadori, sipas Canajt.

Ai shton se nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës fillojnë të merren me çështjen e dialogut Kosovë-Serbi, si nevojë për përcjellje të situatës, do ketë edhe emërim të një ambasadori në Kosovë.

“Kjo mund të jetë një tregues që deri më tani, Kosova nuk ishte në prioritetet e administratës amerikane. Kjo për shkak të ndryshimeve gjeopolitike në botë. Tani po shohim që fokusi është mbi situatën në Ukrainë, por edhe në Lindjen e Afërt dhe atë të Mesme. Kjo ka bërë që Kosova momentalisht të mos jetë në fokus të ShBA-së dhe jo vetëm”.

“Tanimë e kemi vërejtur që kohëve të fundit Kosova ka filluar të përmendet në qarqet amerikane. Mendoj që kjo do shtyjë edhe te emërimi i ndonjë ambasadori edhe këtu si nevojë e përcjelljes së situatës, posaçërisht nëse ShBA fillon të merret edhe me çështjen e dialogut dhe ta shtyjë atë”, tha Canaj për Klankosova.tv.

Jeffrey Hovenier ishte ambasadori i fundit fuqiplotë amerikan në Kosovë, ndërsa mandatin e përfundoi në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, kur edhe u pensionua.

Aktualisht, e ngarkuara me punë në Ambasadën Amerikane në Kosovë është Anu Prattipati, e cila para detyrës në Kosovë, ishte këshilltare për çështje politike dhe ekonomike në ambasadën e ShBA-së në Hagë.

Klankosova.tv ka pyetur Ambasadën nëse është ndërmarrë ndonjë hap zyrtar drejt emërimit ose konfirmimit të një ambasadori të ri, por nuk ka marrë përgjigje deri në momentin e publikimit të këtij artikulli.

Këta janë Shefat e Misionit, të Ngarkuarit me Punë dhe Ambasadorët amerikanë që shërbyen në Kosovë nga paslufta:

Reno L. Harnish ishte emëruar shef i misionit të Zyrës së ShBA-së në Kosovë nga data 30 gusht 2002 deri më 20 korrik 2003. Marcie Berman Ries gjithashtu shërbeu nga 20 korrik 2003 deri më 28 korrik 2004. Philip S. Goldberg, nga 28 korrik 2004 deri më 4 korrik 2006 ndërsa Tina Kaidanow, nga 4 korrik 2006 deri më 8 prill 2008.

Të katër këta shërbyen nën administratën George Bush.

Kaidanow vazhdoi qëndrimin në Kosovë, duke u emëruar Chargé d’Affaires (e Ngarkuar me Punë) nga 8 prill 2008 deri më 18 korrik 2008. E njëjta u emërua edhe Ambasadore e Jashtëzakonshme dhe Fuqiplotë nga 18 korrik 2008 deri më 6 korrik 2009. Kaidanow shërbeu nën dy administrata, atë të Bushit dhe Barack Obamas.

Christopher Dell shërbeu nga 27 maj 2009 deri më 9 gusht 2012. Pastaj Tracey Ann Jacobson, nga 3 prill 2012 deri më 10 korrik 2015.

Dell dhe Jacobson shërbyen nën administratën e Obamas.

Greg Delawie qëndroi në Kosovë si ambasador amerikan nga 29 qershor 2015 deri më 26 shtator 2018 dhe ishte i vetmi gjatë mandatit të parë të Trumpit.

Philip S. Kosnett ishte ambasadori i parafundit fuqiplotë në Kosovë, i cili qëndroi nga 10 shtator 2018 deri më 17 shtator 2021. Kurse Jeff Hovenier shërbeu nga 18 nëntor 2021 deri në fund të vitit 2024.

Shtetet ku ShBA-ja s’u përfaqësua me ambasador në periudha të ndryshme kohore

Sudan: ShBA-ja nuk kishte ambasador në Sudan për më shumë se 25 vjet (1996–2022), për shkak të konfliktit dhe mungesës së marrëdhënieve të plota diplomatike. Ambasadori u emërua në vitin 2022.

Kubë: Nuk ka pasur ambasador të ShBA-së që nga viti 1961 për shkak të ndarjes diplomatike pas Revolucionit Kuban. Në vitin 2015, ambasadat u rihapën, por ShBA-ja ende nuk ka emëruar ambasador të përhershëm – vetëm të Ngarkuar me Punë.

Irlandë: Pozita e ambasadorit në Irlandë ishte bosh për mbi 2 vjet (2019–2022) gjatë administratës së Trumpit dhe fillimit të administratës Biden.

Hungari: Gjatë presidencës së Trumpit, ShBA-ja nuk emëroi ambasador në Hungari për më shumë se 18 muaj, derisa emëroi David Cornstein në 2018.

Suedi: Nga viti 2021 deri në 2023, Suedia nuk kishte ambasador të ShBA-së. Procesi u vonua për shkak të mungesës së konfirmimit në Senat, edhe pse kandidatët ishin nominuar.

Siri: ShBA-ja nuk ka ambasador në Siri që nga 2012, për shkak të luftës civile. Marrëdhëniet janë degraduar, dhe ambasada është mbyllur.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.