Protesta para Kuvendit, Dërguti kërkon përgjegjësi për skandalin e ekspozitës NULL NULL 30.03.2026 13:23 30.03.2026 13:23 Opinionistja Aida Dërguti ka thënë se autorët e ekspozitës së pasaktë për masakrat në Kosovë, duhet të mbajnë përgjegjësi direkte bashkë me akterët politikë që e mundësuan atë. Gjatë fjalës së saj në protestën e OVL-UÇK para Parlamentit, ajo deklaroi se kjo ekspozitë ishte degradim institucional, derisa shtoi se institucionet e kanë përgjegjësi të mbrojnë historinë e jo të subvencionojnë shtrembërimin e saj, raporton Klankosova.tv. “Si rezultat i këtyre shpifjeve janë ndërtuar procese gjyqësore, herë vendore e herë ndërkombëtare, kundër veteranëve të luftës, të cilat vazhdojnë edhe sot. Duke mos u mjaftuar me kaq, radha u erdhi viktimave civile, poshtërimi i tyre u ekspozua në shesh. Nënçmimi i të rënëve cenon dinjitetin e luftës së drejtë të UÇK-së për çlirim dhe vetëvendosje”, tha ajo. “Ky është degradim institucional. Ne si veteranë ndihemi keq që gjatë luftës nuk patëm kapacitete të mjaftueshme për të mbrojtur të gjithë popullatën, por nuk do të lejojmë që viktimat civile të poshtërohen nga kushdo që në kohën e luftës ishte larg ngjarjeve”. “Autorët e këtij shtrembërimi mbajnë përgjegjësi direkte, së bashku me akterët politikë që e mundësuan atë. Barra bie mbi çdo zyrë që ka përdorur fonde publike dhe kjo përbën një skandal të vërtetë. Institucionet e kanë detyrë të mbrojnë historinë, jo të subvencionojnë shtrembërimin e saj. Kërkojmë llogaridhënie për të gjithë zyrtarët përgjegjës”, shtoi Dërguti, njofton Klankosova.tv.