Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Profile false dhe gjuhë e urrejtjes: Kur rrjetet sociale bëhen arenë sulmesh

NULL NULL
nga Genita Ukaj 01.07.2025 09:25

Rrjetet sociale janë bërë platforma të rëndësishme komunikimi në epokën digjitale, megjithatë përveç mundësive që ofrojnë për lidhje dhe shpërndarje informacioni, ato shpesh shërbejnë edhe si arenë për komente negative dhe sulme verbale.

Komentet negative në postimet në rrjetet sociale jo vetëm që mund të ndikojnë në psikologjinë e përdoruesve, por mund edhe të krijojnë një ambient toksik që ndikon në mënyrën sesi njerëzit bashkëveprojnë online.

Për arsyet, pasojat dhe mënyrat e mundshme për ta përballuar këtë fenomen në rritje, për Klankosova.tv ka folur sociologu, Labinot Kunushevci, i cili tha se gjuha e urrejtjes është karakteristikë e komunikimit të deformuar sociologjik si rezultat i frustrimit shoqëror.

Nga racizmi e deri te kërcënimi, sipas tij janë shpeshherë elemente të kësaj që ai e quajti gjuhë e urrejtjes.

“Kjo gjuhë e urrejtjes shpeshherë ka elemente racizmi, përjashtimi, diskriminimi, demonizimi e kërcënimi, që përbëjnë vepër penale dhe fyerje të integritetit dhe dinjitetit të personit”, është shprehur ai.

E dikush që përballet shumë shpesh me këtë gjuhë, thotë se nuk ka material që postohet në rrjete sociale, e që nuk merr komente negative.

Hana Selimi, influencere dhe gazetare tha se komentet e tilla fillojnë nga gjykimi për pamjen e deri tek mënyra e veshjes.

“Pothuasje nuk ka video që postohet në rrjetet sociale dhe nuk merr ndonjë koment negativ, dikush të gjykon për pamjen, dikush tjetër për peshën, se si vishesh ose thjesht nuk i pëlqen si person, por gjithsesi nuk mungojnë komentet negative asnjëherë”, u shpreh ajo.

Për Klankosova.tv, Selimi tha se këto komente zakonisht vijnë nga profilet false, por që jo të rralla janë edhe ato me profile të vërteta.

“Shumicën e kohës janë profile fake, pa fotografi reale ose thjesht një TikTok i hapur me një emër që thjeshtë për të komentuar negativisht në rrjetet sociale , por ka edhe profile reale që nuk hezitojnë ta bëjnë këtë gjë”, tha influencerja.

Duke qenë se përballet shpesh me një fenomen të tillë, Selimit nuk i bëjnë më përshtypje.

Por, ka disa lloje komentesh që atë e bëjnë të veprojë, e të mos u lë vend në profilin e saj.

Personalisht nuk më ndikojnë aspak, por aspak fare, sepse secili shpreh mendimin e vet, zakonisht komentet e tilla nuk i fshij, përpos ato ku fjalët janë të pista dhe preket ndoshta dhe familja”.

“Besoj që dikush që nuk është i kënaqur me jetën e vet, me punën që bën atëherë ka kohë të merret me të tjerët dhe nuk priton të shkruaj gjithë ditën komente negative, përderisa nuk ka diçka të bazuar asnjëherë nuk më pengojnë dhe po, 90 për qind të rasteve ju përgjigjem me fakte dhe pastaj replikat mungojnë sepse s’kanë argumente e as bazë për atë koment”, tha tutje ajo për Klankosova.tv.

A duhet të sanksionohet përdorimi i kësaj gjuhe prapa tastierës?

Sanksionimi i këtij veprimi prapa një tastiere kompjuteri apo telefoni, po konsiderohet i domosdoshëm për sociologun Labinot Kunushevci.

Ai për Klankosova.tv tregoi edhe disa metoda me të cilat do të mund të arrihej një gjë e tillë.

“Të ketë mekanizma kontrollues e monitorues për identifikimin e personave që nxitin gjuhë të urrejtjes dhe ndëshkimin e tyre me burg ose gjobë”.

“Por, vetëm duke formuar komisione profesionale me ekspertë të komunikimit publik dhe sociolog që definojnë qartë gjuhën e urrejtjes”, u shpreh Kunushevci.

Njoftimin e organeve kompetente për raste të komenteve që kalojnë në kërcënime, po e sheh të nevojshëm influencerja Hana Selimi.

“Nëse komentet vazhdojnë gjithmonë ndoshta edhe me kërcënime, atëherë mendoj që duhet të njoftohen organet kompetente, sepse nëse dikush merr kërcënime serioze atëherë nuk duhet të anashkalohen, komente të tilla shohim gjithmonë dhe nuk e di nëse do të këtë ndonjëherë një mekanizëm për t’i ndaluar”, u shpreh ajo.

Selimi pati edhe një mesazh për vajzat që janë pjesë e rrjeteve sociale dhe përballen me komente të tilla.

“Dua të them për të gjitha vajzat që krijojnë kontent në rrjetet sociale që asnjëherë mos të ndikohen nga komentet e tilla negative se gjithmonë vijnë nga njerëz që as nuk duhet t’i marrim seriozisht dhe thjeshtë të vazhdojnë përpara”, tha tutje infuencerja për Klankosova.tv.

Pra, komentet negative dhe gjuha e urrejtjes në rrjetet sociale po del të mos jenë më vetëm një problem individual, por një fenomen shoqëror që kërkon vëmendje dhe përgjegjësi kolektive.

Siç theksoi sociologu kjo është pasojë e frustrimeve sociale dhe deformimit të komunikimit dhe influencerja e cila nënvizoi rëndësinë e mosndikimit nga komentet negative dhe nevojën për reagim ndaj kërcënimeve serioze./Klankosova.tv

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.