Policia e Kosovës nis patrullimin në Karaçevë (VIDEO)

Policia e Kosovës nis patrullimin në Karaçevë (VIDEO)

2 muaj më parë

Të premten (07 gusht, 2020) nëpër rrjetet sociale qarkulluan disa video dhe fotografi ku shiheshin ushtarë serbë që kishin hyrë në fshatin Karaçevë të Komunës së Kamenicës.

Kjo gjë ngjalli reagime të shumta – sidomos tek disa banorë të asaj zone, të cilët thanë se po ndjehen të rrezikuar, shkruan Klan Kosova.

Pas raportimit të mediave, Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti ka zhvilluar një bisedë me Komandantin e KFOR-it, Gjeneralin Risi, nga i cili është njoftuar se një veprim i tillë ka qenë vetëm një patrullim i përbashkët rutinor dhe i sinkronizuar i KFOR-it dhe i Forcave të Armatosura të Republikës së Serbisë, me të cilat që nga viti 2008, KFOR-i zhvillon patrullime të përbashkëta përgjatë vijës kufitare.

I pari i ekzekutivit i ka siguruar qytetarët se kufijtë e Kosovës janë të sigurt dhe të njohur ndërkombëtarisht nga pjesa më e fuqishme dhe demokratike e botës.

“Siguria në Kosovë nuk mund të rrezikohet nga askush. Nuk ka vend për panik, dhe as nevojë për deklarata pompoze e defilime në vendngjarje, pa pasur idenë se si ka ndodhur ngjarja”.

Hoti ka theksuar se në ditët në vijim do të merren veprime konkrete nga institucionet e sigurisë së Kosovës, në koordinim me mekanizmat ndërkombëtarë të sigurisë, përfshirë këtu patrullimet e përbashkëta me KFOR-in.

Tani duket se këto patrullime të përbashkëta kanë filluar pasi që banorë të asaj zone kanë incizuar pjesëtarë të Policisë së Kosovës duke ecur në Karaçevë.

Klan Kosova ka tentuar të kontaktojë me ndonjë zëdhënës të Policisë së Kosovës për t’u informuar më shumë rreth kësaj ngjarje, mirëpo deri më tani nuk ka marrë përgjigje.

klankosova.tv