Pingpong, Kreshnik Mahmuti dhe Era Janjeva shpallen kampionë për U-21 NULL NULL 31.03.2019 20:33 31.03.2019 20:33 Të shtunën dhe të dielën në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, për herë të dytë, u mbajt Kampionati individual për grupmoshën U-21. Morën pjesë rreth 50 pingpongistë dhe pingpongiste më të mira të kësaj grupmoshe. Ditën e parë u zhvilluan garat në grupe, kurse ditën e dytë u zhvilluan garat në çifte për meshkuj dhe për femra, si dhe garat individuale për të dyja konkurrencat. Te çiftet e femrave pjesëmarrja ishte e pakët në numër, andaj mungoi edhe cilësia përveç finales ku u takuan çifti gjilanas, Alma Mehmeti (KPP Drita)/Bleona Mehmeti (KPP Drita) dhe ai vushtrrias Edona Shabani (KPP Vushtrria)/Rinesa Imeri (KPP Vushtrria). Gjilanaset me lojë të mirë dhe të sigurtë e fituan finalen me rezultatin 3-0 në sete. Në konkurrencën e meshkujve, si zakonisht u tregua pingpong më cilësor dhe atraktiv. Si befasi mund të konsiderohet triumfi i dyshes nga Vushtrria Bivolaku/Muli, që shënuan fitore ndaj prishtinasve Luta/Shala që konsideroheshin si favoritë. Në gjysmëfinalen tjetër, dyshja prizrenase Mahmuti/Karabaxhaku pa vështirësi u plasuan në finale. Prizrenasit, si favoritë absolut pa ndonjë vështirësi e fituan ndeshjen finale dhe u shpallën kampion. Në ndeshjet individuale në shortin kryesor, te femrat ndeshje të mira zhvilluan tetë lojtaret më të mira. Në gjysmëfinale u renditën Alma Mehmeti, Edona Shabani, Era Janjeva dhe Bleona Mehmeti. Në gjysmëfinalen e parë, në një ndeshje të bukur dhe dramatike sa i përket epilogut fitore ndaj Edona Shabanit, shënoi Alma Mehmeti me rezultatin 4-3 në sete. Në gjysmëfinalen e dytë, Era Janjeva me lojë të mirë sulmuese arriti ta thyejë mbrojtjen e Bleonës dhe fitoi me rezultatin 4-1. Ndeshja finale ndërmjet Almës dhe Erës doli të jetë shumë e fortë dhe e tërheqëse. Të dyja lojtaret e morën nga një set, për tu shkëputur pastaj Era duke fituar setin e tretë dhe të katërt dhe këtë epërsi nuk e lëshoi deri në fund duke e fituar setin e pestë dhe krejt takimin me rezultatin 4-1. Te djemtë pati shumë ndeshje të mira dhe me cilësi e rivalitet të lartë. Deri në gjysmëfinale u renditën katër lojtarët më të mirë Kreshnik Mahmuti, Fatih Karabaxhaku, Yll Dragidella dhe Blendon Luta. Gjysmëfinalja e parë ndërmjet Mahmutit dhe Dragidellës i takoi bindshëm Mahmutit me rezultatin 4-0 në sete. Në gjysmëfinalen e dytë, Fatih Karabaxhaku e arsyetoi epitetin e favoritit dhe fitoi ndaj Blendon Lutës me rezultatin 4-0 në sete. Finalja ofroi pingpong shumë cilësor dhe tërheqës për të gjithë të pranishmit në sallë. Fillimi i ndeshjes ishte i barabartë, ku të dy lojtarët e fituan nga një set. Setin e tretë e fitoi Kreshniku me 11-8 dhe mori epërsinë të cilën e ruajti deri në fund të ndeshjes duke fituar me rezultatin përfundimtar 4-1 në sete duke e mbrojtur titullin e kampionit nga vitit i kaluar për U-21. RENDITJA INDIVIDUALE – FEMRAT 1. Era Janjeva 2. Alma Mehmeti 3. Bleona Mehmeti 3. Edona Shabani INDIVIDUALE – MESHKUJT 1. Kreshnik Mahmuti 2. Fatih Karabaxhaku 3. Blendon Luta 3. Yll Dragidella Çiftet Meshkuj 1. Kreshnik Mahmuti (KPP Lidhja e Prizrenit)/Fatih Karabaxhaku (KPP Lidhja e Prizrenit) 2. Aulon Bivolaku (KPP Vushtrria)/Altin Muli (KPP Vushtrria) 3. Blendon Luta (KPP Shkolla)//Jon Shala (KPP Prishtina) 3. Sylejman ÇERKINI (KPP shkolla Ahmet Hoxha)/Dren ÇERKINI (KPP shkolla Ahmet Hoxha) Çiftet – Femra 1. Alma Mehmeti (KPP Drita)/Bleona Mehmeti (KPP Drita) 2. Edona Shabani (KPP Vushtrria)/Rinesa Imeri (KPP Vushtrria) 3. Jerina Rexhepi (KPP Ahmet Hoxha)/Shega Hashani (KPP Ahmet Hoxha)