Përvjetori i hidhur: Dy vjet nga “lufta” e serbëve me KFOR në Zveçan (VIDEO) NULL NULL 29.05.2025 20:29 29.05.2025 20:29 Dita e 29 majit ishte pothuajse krejt normale në Zveçan. Në hyrje të ndërtesës së komunës që ndodhet në zemër të qytezës e cila shumicën e banorëve i ka serbë, valon flamuri i Republikës së Kosovës. Brenda saj, kryetari Ilir Peci, kryen detyrat rutinore, pa ndonjë telash. Se fundmi këndejpari janë kryer edhe punë infrastrukturore ditëve të fundit. Ky është një realitet krejtësisht ndryshe krahasuar me 29 majin e dy vjetëve më parë. Atë ditë, grupe të mëdha të protestuesish e huliganësh serbë, sulmonin ushtarët KFOR-it si dhe gazetarët që po raportonin pikërisht prej para ndërtesës së komunës. Në fakt, protestat këtu u thirrën qysh më 26 maj, për të kundërshtuar hyrjen në këtë objekt të kryetarit të zgjedhur shqiptar, Ilir Peci. Njëjtë po ndodhte edhe në dy komunat tjera, Leposaviq e Zubin Potok. Këto qyteza u bënë me liderë shqiptarë, pasi serbët, të ftuar nga Beogradi, refuzuan të marrin pjesë në zgjedhjet lokale për këto katër qyteza. Nga përplasja në Zveçan, ngelën të plagosur 93 ushtarë të KFOR-it, disa prej tyre rëndë. Njërit prej tyre nga kontigjenti hungarez i ishte amputuar këmba. Shumë nga personat që ishin pjesë e turmave të dhunshme më 29 maj 2023, besohet se janë në Serbi. Ky shtet ende nuk e ka ndjekur penalisht ndonjë nga pjesëmarrësit në trazirat në Zveçan, Leposaviq ose Zubin Potok të Kosovës. Më 20 korrik 2023, në një takim që e kishte me presidentin serb, sekretari i atëhershëm I NATO-s, Jens Stoltenberg, kishte kërkuar llogaridhënie nga Aleksandar Vuçiq për plagosjen e gati 100 ushtarëve të KFOR-it. Autoritetet kosovare ndërkaq, lidhur me dhunën e dy vjetëve më parë, kanë arrestuar jo pak persona. Disa u dënuan pas ujdive që ata bënë me prokurorinë për pranim fajësie. I fundit që u arrestua në lidhje me ato ngjarje, ishte një burrë me inicialet M.A, nga Zhitkovci i Zveçanit. Ai u kap më 15 prill të këtij viti. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.