Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Përfundimi i Epokës së Bukur, të Dytë

123
string(13) "Adrian Zeqiri" string(67) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2023/10/adrian-zeqiraj.jpg"
nga Adrian Zeqiri 25.10.2023 19:25
adrian zeqiri

Katër dekada pas rënies së Murit të Berlinit, një periudhe  dominuar nga Pax Americana, siç duket, është duke i ardhur fundi. Tani, ndryshimet po ndodhin dhe po hyjmë në një kohë të re të pasigurisë.

Rritja e Kinës në skenën globale, nga një fuqi relative në një superfuqi, ka ndikuar ndjeshëm në rendin ndërkombëtar që u vendos pas Luftës së Dytë Botërore nga aleanca perëndimore, nen udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara. Ky ndryshim i madh gjeopolitik është krahasuar me Luftërat e Peloponezit të lashtësisë. Aktualisht, Shtetet e Bashkuara dhe Kina gjenden në një situatë të njohur si Kurtha e Tukididit – një situatë e ngjashme me atë të Mbretërisë së Bashkuar dhe Gjermanisë perandorake para Luftës së Parë Botërore. Tani, zonat e interesit po rishikohen, aleancat po ndryshojnë dhe vijat e kuqe po vendosen me anë të luftërave. Shtete si Turqia, India dhe Brazili po forcohen si fuqi rajonale dhe të rëndësishme. Nga ana tjetër, shtetet evropiane po përballen me sfidën e mbajtjes së ndikimit ndërkombëtar si një bashkësi.

Aktualisht jemi dëshmitarë të rritjes së tensioneve te Perëndimit me fuqi të mëdha si Rusia, Kina dhe Irani. Duket se dekada e ardhshme do të jetë një kohë e përplasjeve të mëdha, ku do të ndeshen kultura dhe ideologji të ndryshme, sisteme ekonomike e teknologjike të ndryshme, të shpërndara anembanë botës, duke sjellë tensione dhe luftëra. Edhe pse shumica e këtyre konflikteve për momentin po zhvillohen nëpërmjet shteteve të treta, luftërat me proksi, ekziston rreziku i një përplasjeje direkte mes superfuqive, që mund të çojë në një Luftë të Tretë Botërore. Përveç Ukrainës, ka shumë vende të tjera ku mund të shpërthejë konflikti, siç janë Tajvani, Paqësori dhe Lindja e Mesme.

Ne jemi gjithashtu dëshmitarë të një gare armatimi për modernizimin te arsenalit konvencional dhe një rritje të shpenzimeve ushtarake te pa pare qe nga fillimi i Luftës se Ftoftë. Ky zhvillim është shoqëruar nga një kërkim i vazhdueshëm për teknologji superiore të dronëve dhe integrimin e inteligjencës artificiale në strategjitë ushtarake. Pavarësisht pengesave nga sanksionet e ShBA-së, Kina ka arritur të ngushtojë hendekun teknologjik me Perëndimin, siç ilustrohet nga zhvillimi i çipit 7nm.

Sidoqoftë, kjo garë teknologjike zhvillohet nën hijen e një konflikti bërthamor të mundshëm. Kina po zgjeron arsenalin e saj bërthamor, disa vende janë afër ndërtimit të armëve bërthamore dhe Rusia po rinovon kapacitetet e saj bërthamore me një arsenal të paparë deri më tani. Ky arsenal përfshin raketën ndërkontinentale Satan 2, raketat hipersonike Kinzhal, nëndetësen Belgorod të pajisur me torpedo nënujore Poseidon, e njohur gjithashtu si Dita e Kiametit, dhe raketën Skyfall (Rënia e qiellit), të testuar së fundmi me motor bërthamor të aftë për të qarkulluar rreth globit për muaj të tërë përpara se të godasë objektivin e saj. Secila prej këtyre armëve ka potencialin për të shkatërruar pjesë të mëdha të botës me një goditje të vetme.

Lindja e Mesme, gjithashtu, është në prag të një rindezjeje të mundshme të konflikteve. Ka lëvizje të fuqishme të forcave radikale në të dyja anët që mund të ndezin një konflikt të madh rajonal në Lindjen e Mesme. Në këtë rajon, që vlon nga luftërat fetare, tashmë përveç ShBA-së që ka vendosur një numër shumë të madh të flotave detare, janë prezente edhe Rusia me bazat e saj ushtarake dhe Kina që sapo ka dërguar gjashtë luftanije në Gjirin persik.

Historiani i njohur anglez Sir Halford Mackinder, në fillim të shekullit të 20-të, parashikoi se ai që kontrollon zemrën tokësore (“heartland”), e cila është masa kontinentale e Azisë, do të ketë mundësinë të kontrollojë botën. Afrimi i Kinës dhe Rusisë është një shenjë ogurzezë për Perëndimin. Veprimet e Nixonit dhe Kissingerit në fillim të viteve 1970, që ndanë Kinën nga Bashkimi Sovjetik dhe që ishin faktorë kryesorë në rrëzimin e Bashkimit Sovjetik, janë zhbërë tanimë. Kina dhe Rusia janë në një trajektore të një aleance strategjike “pa limite”, me ndikim të rritur nëpërmjet vendeve anëtare të BRICS.

ShBA-ja dhe Perëndimi kanë një sfidë të madhe përballë kësaj aleance në dhjetëvjeçarin e ardhshëm. ShBA-ja ka mundur Gjermaninë imperiale, Gjermaninë naziste, Japoninë imperiale, dhe Bashkimin Sovjetik. Të gjitha këto ishin fuqi të mëdha, por, përkundër kësaj, fitorja e ardhshme ndaj asaj që mund ta quajmë si fuqi të zemrës tokësore (Kinës dhe Rusisë) nuk është e garantuar, gjithçka është ende fluide.

Në rast se njerëzimi i shpëton fatkeqësisë së një lufte bërthamore, pritet që nga fillimi i viteve 2030, të jemi dëshmitarë të një metamorfoze të thellë në peizazhin gjeopolitik. Ky proces do të pasohet nga një rikonfigurim i zonave të interesit dhe ngurtësimit të aleancave të mëdha, duke arritur një detante të re në një Luftë të Ftohtë 2.0, ku globi ndahet në sfera të ndryshme të ndikimit të dominuara nga superfuqitë e kohës. Në këtë skenar, do të ketë një ulje të tensioneve, e ngjashme me bashkëjetesën e përjetuar gjatë Luftës së Ftohtë origjinale, por me ndarje të qarta ndërmjet “fuqive detare”, siç teoritizoi Alfred Mahan, dhe “fuqive tokësore”, siç parashikoi Mackinder.

Pas bashkimit të Gjermanisë në vitin 1870, rendi evropian dhe ai botëror u karakterizua nga vala e parë e globalizimit. Periudha pa luftëra ndërmjet fuqive të mëdha dhe zhvillimi i rrugëve tregtare çuan në një qetësi relative ndërkombëtare. Kjo periudhë historike njihet si “Bella Epoque” ose “Epoka e Bukur”, e cila përfundoi në mënyrë të papritur në vitin 1914 me shpërthimin e Luftës së Parë Botërore. Paralelisht, mund të argumentohet se pas përfundimit të Luftës së Ftohtë në vitin 1990, kemi përjetuar një “Bella Epoque” të dytë. Kjo epokë u shënua nga paqja relative dhe një valë e re e globalizimit që zgjati deri në vitin 2022, me sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës. Sot, jemi dëshmitarë të përfundimit të kësaj epoke të dytë dhe një rikonfigurimi të globalizimit në kampe të ndryshme. Kjo sinjalizon një ndryshim të thellë në rendin botëror dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Krejt në fund, për Kosovën dhe shqiptarët në përgjithësi, ne kemi aleancën tonë të zgjedhur, me atë të Perëndimit dhe ShBA-së. Ballkani perëndimor, për momentin nuk ka potencial të shkaktojë probleme globale, pasi që është i rrethuar nga NATO. Por ne duhet të përkushtohemi të finalizojmë sa më shpejt procesin e konsolidimit të pavarësisë sonë, të paktën në nivel evropian, në mënyrë që zhvillimi ekonomik i Kosovës të bëhet sa më i papenguar. Shqiptarët me shumë fe, nuk duhet të përzihen në luftëra fetare, dhe duhet gjithmonë të kujtojnë fuqinë që historikisht i ka ndihmuar ata në momentet e tyre të vështira. Për këtë duhet të vazhdojmë të jemi aleat i patundur dhe të mbështesim ShBA-në me çdo fuqi që kemi, e koha e stuhishme në të cilën jemi futur, do t’i testojë të gjithë aleatët e ShBA-së.

lajme të ngjashme