Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

PDK miraton Deklaratë Politike, riafirmon përkushtimin për ta udhëhequr Kosovën drejt zhvillimit

NULL NULL
21.06.2025 13:59

Partia Demokratike e Kosovës, në Konventën e Përgjithshme, të njëmbëdhjetën me radhë, ka miratuar Deklaratën Politike prej 15 pikave, ku riafirmon përkushtimin për ta udhëhequr Kosovën drejt rimëkëmbjes dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, forcimit të demokracisë dhe integrimit të plotë euro-atlantik.

Përmes saj, PDK u ka bërë thirrje qytetarëve në Kosovë dhe në mërgatë, t’i bashkohen në misionin e shpresës dhe zhvillimit për të ardhmen e Republikës së Kosovës.

Partia Demokratike e Kosovës kërkon dhe angazhohet që urgjentisht të themelohen institucionet qendrore, të cilat do ta marrin me përgjegjësi politike e qytetare detyrën e qeverisjes së vendit.

PDK ka filluar mobilizimin e të gjitha strukturave në çdo nivel të organizimit partiak për Zgjedhjet Lokale të 12 tetorit, dhe zotohet për t’iu ofruar qytetarëve në të gjitha komunat modelin e qeverisjes efikase, që kryen punë dhe i mban premtimet.

Në deklaratë theksohet se “PDK angazhohet për të garantuar pavarësinë e sistemit të drejtësisë, mediave dhe agjencive të pavarura, duke konsideruar se çdo tentim për të zbehur këto shtylla të shoqërisë, cenon themelet e demokracisë dhe qon vendin kah autokracia”.

Tutje, PDK  në këtë deklaratë ka shprehur indinjatë të thellë lidhur me mënyrën e zhvillimit të procesit gjyqësor në Dhomat e Specializuara ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe të të akuzuarve të tjerë.

“PDK angazhohet ta rikthejë rreshtimin strategjik me NATO-n dhe me SHBA-në, si dhe kërkon rikthimin e qëllimit për marrëveshje përfundimtare me njohje reciproke në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi. Po ashtu, PDK angazhohet që të gjithë punonjësit e sektorit publik të kenë paga që sigurojnë mirëqenie dhe dinjitet për ta dhe familjet e tyre, si dhe zotohet për kujdes të veçantë për kategoritë e dala nga lufta, si dhe për pensionistët dhe kategoritë e tjera që mbështeten nga buxheti i shtetit. PDK mbetet e përkushtuar për fuqizimin e grave dhe të rinjve, duke synuar përfaqësimin e barabartë gjinor – 50/50 – në të gjitha nivelet e vendimmarrjes”, thuhet më tej në deklaratën 15-pikëshe të këtij subjekti politik.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.