Paracetamoli shkakton kancer - Klan Kosova

Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Paracetamoli shkakton kancer

NULL NULL
23/05/2015
Paracetamoli konsiderohet si një ilaç i sigurt për t’u përdorur për largimin e dhembjes, por studiuesit kanë zbuluar në një studim të ri se ai mund të shkaktojë infertilitet dhe kancer te fetuset meshkuj.

Gratë shtatzëna janë paralajmëruar edhe më parë se paracetamoli mund të dëmtojë beben e tyre të palindur.

Ilaçi i njohur për vetitë e largimit të dhembjes besohet të ketë pasoja afatgjata te bebet meshkuj, duke rritur rrezikun e prekjes së tyre, nga infertiliteti deri te kanceri.

Kërkuesit nga Universiteti i Edinburgut i nxitën gratë shtatzëna të mendohen dy herë përpara se të marrin ilaçin.

Sipas tyre, nëse ilaçi merret, duhet të përdoret në dozat më të vogla që është e mundur, për periudhën më të shkurtër kohore. Gratë shtatzëna duhet të kërkojnë këshilla mjekësore përpara se të marrin paracetamol.

Ky i fundit është ilaçi më i përhapur për largimin e dhembjes kudo nëpër botë. Dhe si i vetmi ilaç i cilësuar i sigurt gjatë shtatzënisë, konsumohet nga shumica e nënave të ardhshme, raporton Daily Mail.

Megjithatë, disa studime kanë treguar se ai ndërhyn në zhvillimin e sistemit të riprodhimit te bebet djem, ndërsa ata janë ende në mitër.

Kjo është e rëndësishme, pasi nëse zhvillimi në këtë kohë shkon keq, ka pasoja për të gjithë jetën, duke e vënë fëmijën në rrezik të lartë ndaj një vargu problemesh, nga defektet gjenitale në lindje, deri te papjelloria dhe kanceri në testikuj.

Testosteroni që prodhohet në testikuj, mendohet të jetë çelësi i të gjithë procesit, ndaj kërkuesit kryen një eksperiment të projektuar për të treguar nëse ekspozimi ndaj paracetamolit në mitër ul nivelet e hormonit.

Eksperimentet me bebet në mitër do të ishin të pamundura, ndaj shkencëtarët studiuan kaviet që kishin pjesë të indit embrional testikular të injektuar në to.

Atyre iu dha më pas paracetamol në doza të barabarta me ato që merren nga njerëzit dhe sasia e testosteronit që prodhuan u mat.

Megjithëse mund të duket e çuditshme, besohet të jetë alternativa më e mirë për të matur testosteronin në mitër.

Marrja e paracetamolit vetëm për një ditë nuk kishte efekt në nivelet e testosteroneve.

Megjithatë, trajtimi tri herë në ditë për shtatë javë e shkaktoi atë gati në gjysmë, sipas raportimeve.

Një test i dytë konfirmoi se nivelet e hormoneve seksuale të meshkujve kishin rënë.

Kërkuesit nxitën gratë shtatzëna të ndjekin udhëzimet, sipas së cilave paracetamoli duhet të merret në dozat më të vogla për kohën më të shkurtër.

Doktor Rod Mitchell, autori drejtues i studimit, tha se ndërsa ai nuk donte që nënat e ardhshme të përjetonin vuajtje të panevojshme, paracetamoli shpesh merret pa u menduar dy herë.

Bashkautori i studimit, Richard Sharpe, tha se shumë njerëz janë të shkujdesur për përdorimin e kokrrës. Ai i këshillon gratë shtatzëna në nevojë të një ilaçi për çlirimin nga dhembja në afat të gjatë kohor të kontaktojnë me doktorin nëse përfitimet nga paracetamoli i tejkalojnë rreziqet.

Profesor Sharpe tha se nuk ishte qëllimi i studimit të trembte gratë shtatzëna, por t’i armatosë ato me informacion që i fuqizon për t’i dhënë më pas fëmijës së tyre fillimin më të mirë të mundshëm të jetës.

Ai shtoi se kërkimi aplikohet drejtpërdrejt te bebet djem në mitër. Nuk ka asnjë pasojë për fetuset femra.

Sipas studiuesve, ndonjëherë dozat e vogla të paracetamolit janë të nevojshme të trajtojnë ethet që mund të dëmtojnë zhvillimin e fëmijëve.

Megjithatë, përdorimi i zgjatur i ilaçit duhet të shmanget.

Gratë duhet ta shmangin idealisht marrjen e ilaçeve kur janë shtatzëna dhe veçanërisht në tre muajt e parë. Problemet e vogla shëndetësore, si të ftohurat dhe dhembjet e kokës, shpesh nuk kanë nevojë të trajtohen me ilaçe.

Kërkuesit u shprehën se nuk është e mundur të thuhet se deri ku paracetamoli është i sigurt ose jo. Sipas institucioneve mbikëqyrëse, paracetamoli përgjithësisht konsiderohet si i sigurt dhe efektiv gjatë shtatzënisë.

Megjithatë, zbulimet e këtij studimi të ri do të vlerësohen me kujdes për të vendosur nëse ka ndonjë shkak për alarm në përdorimin e paracetamolit. / klankosova.tv