Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Paolucci: Kosova, ndër vendet me borxhin më të ulët në Evropë – vetëm me politika fiskale mund ta luftojë inflacionin (VIDEO)

NULL NULL
21.01.2023 12:36

Massimiliano Paolucci, menaxher i Bankës Botërore për Kosovë dhe Maqedoni të Veriut, ka theksuar se instrumenti i vetëm që ka Kosova është politika fiskale.

Ai në emisionin Portofol në Klan Kosova FM ka nënvizuar se inflacioni burimin e ka nga jashtë.

“Inflacioni, veçanërisht në rastin e Kosovës, është kryesisht i importuar, dhe kjo shihet sepse Kosova importon energji, edhe pse prodhon mjaft, por i duhet të importojë energji, si dhe importon ushqime, dhe këta janë dy komponentët kryesorë të inflacionit, si në rajon, ashtu edhe globalisht”, ka shtuar ai.

“Kosova është shtet që ka adoptuar euron si valutë, dhe kjo nënkupton që e vetmja mënyrë që kanë autoritetet që ta kontrollojnë inflacionin nuk është përmes politikës monetare, sepse kjo nuk mund të ndryshohet, por përmes politikës fiskale, pra çfarë shpenzimesh bën dhe për çka i bën ato”.

Sipas tij, Kosovën e vë në pozitë të mirë sasia e vogël e borxhit publik, ku megjithatë ai bën thirrje për kujdes.

“Themelet e Kosovës janë solide, është një nga vendet me deficitin dhe borxhin kundrejt Bruto Produktit Vendor më të ulët në rajon dhe në Evropë. Ky është aspekt i rëndësishëm që duhet konsideruar, sepse që autoritetet të jenë në gjendje t’i përgjigjen presionit inflacionit, politika fiskale duhet të mbetet e kujdesshme. Në një vend ku burimet janë të limituara, ku edhe mjetet janë të limituara tek politika fiskale, atëherë çështja kryesore është që të sigurohet se shpenzimet publike si përgjigje ndaj inflacionit, shënjestrojnë më të cenueshmit dhe ata që kanë më shumë nevojë. Shpenzimet e pashënjestruara mund të sjellin rezultatin e kundërt, mund ta nxisin inflacionin edhe më shumë”.

Paolucci e ka përmendur punën e institucioneve të Kosovës – qeverisë për ta luftuar ngritjen e çmimeve.

“Definitivisht ka pasur përpjekje për reagim ndaj krizës, duke ofruar subvencione për efiçiencë të energjisë, dhe kjo duhet përshëndetur, sepse kontribuon për uljen e faturës së energjisë. Kemi parë edhe disa përpjekje për mbështetjen e më të cenueshmëve, por sërish, vendimtare është se a janë masat të shënjestruara, dhe a janë të përkohshme  – sa për reagim ndaj krizës, dhe jo të përhershme”.

 

lajme të ngjashme