20:56, 24 Janar 2020

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka thënë se në mesazhet e Richard Grenell – të Dërguarit të Posaçëm të presidentit amerikan për dialogun – kryefjalë është ekonomia.

Pacolli përmes një postimi në Facebook ka thënë se kjo çfarë po deklaron Grenell për zgjidhjen e konfliktit me Serbinë s’është diçka e re, por është një eksperiencë që e kanë ndjekur shumë vende të botës.

Madje, ai ka thënë se “ne fituam luftën, por rrezikojmë të humbim paqen nëse s’veproimë në kohë”.

Postimi i plotë i Behgjet Pacollit në Facebook:

Po e shofim që në të gjithë mesazhet e Ambasadorit amerikan Grenell, të Dërguarit Presidencial për dialogun, fjala kyçe është ekonomia. T’i japim të ardhme të rinjve; vende pune; zgjidhjet do vijnë nga ekonomia; duhet të dëgjojmë komunitetin e biznesit! Etj.
Kjo që thotë Ambasadori, në vijën e mësimeve të Presidentit Trump për zgjidhjen e konfliktit nuk është zbulim i madh. Është eksperienca e përbotshme e post konflikteve që e afirmon këtë. Mësimet e kësaj eksperiencës janë para nesh! Kjo ndodh ndërsa ne të pushtuar nga polemika ndërshqiptare shterp jemi të verbër dhe të shurdhër për t’ i kuptuar këto mësime.
Prej 2004 i kam thënë këto të vërteta, kam punuar për to, jam sulmuar për to. Jam shumë i nderuar që nuk jam vetëm në artikulimin e tyre! Shpresoj se ka shumë mes nesh që do dalin nga kllapia e demagogëve të rrejshëm që e kanë ndërtuar të kaluarën dhe të sotmen e tyre me retorikë lufte dhe do punojnë të ndriçuar nga të vërteta të thjeshta si këto! Ne fituam luftën, por rrezikojmë të humbim paqen nëse s’ veproimë në kohë! Kemi humbur kohë, por të mos humbim as miqtë që na ndihmuan atëherë dhe sot!
Më mirë vonë se kurrë!

 

 

Konkurs Pune

Lexo më shumë