Osmani i pret në takim Fries, Szunyog e Wigemark, diskutojnë edhe për situatën në veri NULL NULL 30.05.2023 11:00 30.05.2023 11:00 Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim zëvendëssekretarin e përgjithshëm për Paqe, Siguri dhe Mbrojtje në Shërbimin Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS), Charles Fries, i shoqëruar nga shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog dhe shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark. Ndër të tjera, në takim u diskutua për progresin e Kosovës drejt Bashkimit Evropian, me ç’rast Osmani ka ritheksuar përkushtimin e Republikës së Kosovës për integrimin euroatlantik. Osmani dhe Fries diskutuan edhe për zhvillimet e fundit në veri të Republikës së Kosovës. Presidentja ka përsëritur dënimin e fuqishëm për sulmet e strukturave ilegale serbe të shndërruara në banda kriminale kundër policisë së Kosovës, KFOR-it dhe gazetarëve. Osmani ka potencuar se këto banda kriminale, të mbështetura nga Vuçiqi, kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës dhe të gjithë rajonit, prandaj veprimet e tyre të rrezikshme duhet të dënohen nga të gjithë. Tutje, Osmani vuri theksin në nevojën e koordinimit me partnerët ndërkombëtarë, si hap i domosdoshëm në mënyrë që të sigurohet paqe dhe stabilitet afatgjatë në vend e rajon, ndërsa ka përmendur rëndësinë e sundimit të ligjit dhe përballjen me drejtësinë për bandat kriminale dhe veprimet e tyre të kundërligjshme. Osmani e ka informuar Fries për progresin e bërë në fushën e sundimit të ligjit, që përfshin edhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe për reformat demokratike dhe për përafrimin e plotë të politikës së jashtme dhe të sigurisë me atë të BE-së. Tutje, zëvendëssekretari Fries vlerësoi lart bashkërendimin e Kosovës për dënimin publik dhe sanksionet kundër Rusisë si dhe përkrahjen e vazhdueshme ndaj Ukrainës. Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber. BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.