Numërohen 75 % të votave me postë – prin Vetëvendosja (VIDEO) NULL NULL 16.10.2019 21:45 16.10.2019 21:45 Nga mëngjesi i sotëm, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka nisur numërimi i fletëvotimeve të ardhura me postë. Sipas të dhënave të fundit, deri tani në QNR janë numëruar 75 % të fletëvotimeve të ardhura nga jashtë vendit ku del se aktualisht po prin Lëvizja Vetëvendosje. Nga të dhënat që janë përditësuar para gjysmë ore në tabelën që është vendosur në QNR – ku po publikohen vazhdimisht rezultatet – rezulton se Lëvizja Vetëvendosja deri tani ka 4904 vota, pasohet nga LDK-ja me 1680 vota, derisa PDK-ja është e treta me 1612 vota. Në ndërkohë, koalicioni Nisma-AKR-PD – që gjithë shpresat për ta kaluar pragun zgjedhor i ka te votat e diasporës, ato me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta – ka marrë deri më tani 605 vota. Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka treguar për Klan Kosovën se si ka shkuar deri tani procesi i numërimit të votave të ardhura nga jashtë vendit. “Sot, KQZ-ja në orën 10:00 në QNR ka filluar numërimin e 13 mijë e 500 votave nga jashtë vendit. Deri para pak kohësh, kur është bërë edhe përditësimi i fundit, numërimi i këtyre fletëvotimeve ka shkuar në 75 %”. “Janë numëruar më shumë se 9000 fletëvotime, derisa kanë mbetur edhe rreth 4000 të tjera që po besoj se deri në mbarim të kësaj dite do të arrijmë që t’i numërojmë të gjitha dhe ta përmbyllim procesin e numërimit të votave jashtë vendit”. Por, kur mund të presim certifikim të rezultateve zyrtare të zgjedhjeve të 6 tetorit nga KQZ-ja? “Votat me kusht, ato të personave me nevoja të veçanta, si dhe rinumërimet eventuale të ndonjë vendvotimi tjetër nuk janë bërë akoma. Me numërimin e tyre, ne mund të procedojmë tutje drejt shpalljes së rezultateve përfundimtare”. “Është vështirë ta themi se kur do të bëhet kjo sepse varemi krejtësisht nga koha që do të na marrë numërimi i votave me kusht dhe ato të personave me nevoja të veçanta dhe se sa do të jetë numri i vendvotimeve të tjera që do të rinumërohen”. Elezi nuk ka dashur ta komentojë nëse me rezultatet e deritanishme koalicioni Nisma-AKR-PD e kalon pragun zgjedhor ose jo. “KQZ nuk i komenton rezultatet, qoftë ato preliminare ose përfundimtare. KQZ-ja ka zhvilluar jashtëzakonisht shumë transparencën sa i përket proceseve që zhvillohen qoftë në KQZ ose në QNR – sikur tani që po i publikojmë të dhënat në tabelë pas çdo numërimi të fletëvotimive nga jashtë vendit”. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
Kosova Rezervoi bileta pa asnjë cent, Mërgim Gashi kthen borxhin pas hulumtimit të Kiks Kosova (VIDEO) 03/07/2025