Një objekt i dyshimtë po ndërtohet në Çagllavicë (VIDEO) NULL NULL nga Florent Zeqaj 22.07.2022 20:29 nga Florent Zeqaj 22.07.2022 20:29 Një objekt ka filluar të ndërtohet në muajin e tretë të vitit 2022 në Rrugën e Kopaonikut në Çagllavicë. Por disa banorë, që kontaktuan Klanin, dyshojnë se këtu ka korrupsion dhe se objekti po punohet pa leje, njofton Klankosova.tv. Disa të tjerë u drejtuan në Drejtorinë e Inspeksionit të Graçanicës për të parë nëse puna po kryhet sipas ligjit. E kjo e fundit, u konstatua nga komunarët që dolën në terren, andaj i ndaluan punimet. Por me sa duket pronari nuk e ka marrë parasysh vërejtjen e bërë në muajin prill dhe e ka vazhduar punën. E ky veprim e shtyri të reagojë edhe deputetin e Kuvendit të Kosovës, Abelard Tahiri, që u ankua në emër të banorëve të lagjes ku banon edhe vetë. Por, komuna i ktheu përgjigje se janë marrë të gjitha masat e duhura. E më 23 qershor inspektori doli në terren, ku përveç ndalimit të punimeve, dha edhe një urdhër. Por, rrënimi jo që nuk nisi, veçse ekipi i Klan Kosovës edhe gjatë kësaj jave gjeti te objekti punëtorë, por që u larguan pa dashur të flasin. E pronari, Armend Mustafa, që nuk ka dashur të flasë para kamerës, i tha Klanit me telefon se po pret të pajiset me lejen, të cilën nuk e ka marrë më herët. Ndërkohë, në komunë thonë se te objekti është vendosur ndalimi i punimeve. Stojanoviq pranon se te objekti mund të shihen punëtorë, porse ata mund të shkojnë t’i tërheqin pajisjet e tyre. Ndërsa zotohet se do t’u japë fund të gjitha ndërtimeve ilegale në Graçanicë.