Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Një mirëseardhje e rehatshme për nënat dhe foshnjat në QKUK

NULL NULL
29.06.2024 19:47
Foto nga Radio Evropa e Lirë
Foto nga Radio Evropa e Lirë

Në katër reparte të Klinikës së Obstetrikës dhe Gjinekologjisë (KOGJ) në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës u bënë renovime të konsiderueshme, që i përmirësuan kushtet si për pacientet, ashtu edhe për të porsalindurit.

Shërbimet sanitare, kontrollimi i klimës, sistemi i thirrjes së infermierëve janë vetëm disa prej përmirësimeve.

Mirjeta, që ka sjellë në jetë fëmijën e dytë, thotë se ka vënë re shumë ndryshme nga përvoja e saj e para dy vjetëve, kur ka lindur fëmijën e parë, raporton Radio Evropa e Lirë, transmeton Klankosova.tv.

“Temperatura në dhomë është konstante. Ka kondicioner dhe dritaret kanë perde. Kur kam qenë atëherë, dhoma ka qenë shumë e papastër, ashtu edhe korridoret e tualetet”, rrëfen ajo.

Mbi shtratin e Mirjetës ishte edhe një pajisje që ajo nuk e kishte vënë re më herët – për sinjalizimin e infermierëve në rast nevoje.

“Ta them të drejtën, nuk e kam ditur se për çfarë shërben”, thotë Mirjeta për Radion Evropa e Lirë.

“Por, edhe nuk kam pasur nevojë, sepse infermierët më kanë vizituar pa i thirrur”, tregon ajo.

Me renovimet e bëra është lehtësuar edhe puna e stafit – “për 60 për qind”, thotë mamia Hasime Kostanica.

“Që nga përfundimi i renovimeve [më 18 qershor] unë kam bërë kujdestari tri herë dhe e kam vërejtur se puna është më e lehtë”, thotë Kostanica.

“Ka pasur raste kur pacientet i kanë humbur ndjenjat, derisa i kemi përcjellë në tualete, pasi ato kanë qenë larg nga dhomat. Tash, tualetet janë në dhoma”, tregon mamia, e cila punon në KOGJ tash e 22 vjet.

Ankesat ajo i ka për, siç thotë, stafin e pamjaftueshëm. Thotë se ka ditë kur për 30 lehona kujdesen vetëm dy infermiere apo mami.

Drejtori i Klinikës së Obstetrikës dhe Gjinekologjisë, Zef Ndrejaj, i cilëson renovimet e bëra si “standarde normale dhe të nevojshme”, si për pacientet, ashtu edhe për stafin.

“Janë përmirësuar dukshëm kushtet e qëndrimit në klinikë e në dhoma. Nuk do të ketë më dhoma me gjashtë shtretër. Tash, dhomat janë vetëm me nga dy shtretër”, thotë Ndrejaj, duke përmendur vetëm një nga investimet e bëra.

Renovimet në katër repartet e KOGJ-it janë bërë me buxhetin e Ministrisë së Shëndetësisë, kanë kushtuar rreth 2.5 milionë euro dhe kanë zgjatur rreth pesë muaj.

Zotimet janë se renovime do të bëhen edhe në shtatë repartet e tjera të KOGJ-it.

Sipas drejtorit Ndrejaj, ato që janë bërë tashmë, do të mundësojnë edhe disa shërbime të tjera në KOGJ, përfshirë atë për zbulimin e anomalive kromozomike, të defekteve gjenetike e të tjera.

Në KOGJ, brenda 24 orësh, lindin rreth 30 foshnje. Gjatë gjithë vitit të kaluar kanë lindur rreth 8 mijë.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.