Nga pensionimi i detyruar te ëndrra e Botërorit si selektor i Norvegjisë, rrëfimi emocional i Solbakken NULL NULL 23.06.2026 15:20 23.06.2026 15:20 Pamjet e trajnerit të Norvegjisë, Stale Solbakken, duke vrapuar drejt tribunave për të përqafuar bashkëshorten e tij pas fitores dramatike 3:2 ndaj Senegalit, prekën zemrat e tifozëve në mbarë botën. Megjithatë, pak njerëz e dinë historinë e jashtëzakonshme që fshihet pas atij momenti emocional. Solbakken, i cili sot drejton kombëtaren norvegjeze, u detyrua t’i japë fund karrierës së tij si futbollist në moshën 33-vjeçare pasi përjetoi një ngjarje që i rrezikoi jetën, transmeton Klankosova.tv. Teksa luante për FC Copenhagen, ai pësoi arrest kardiak gjatë një seance stërvitore. Zemra e tij ndaloi së rrahuri për shtatë minuta, ndërsa vetëm ndërhyrja e shpejtë e mjekut të klubit me masazh kardiak i shpëtoi jetën para mbërritjes së ambulancës. Në një dokumentar të publikuar nga Netflix, Solbakken ka rrëfyer se atë ditë kishte lënë bashkëshorten në shtëpi dhe kishte dërguar fëmijën në shkollë para se të nisej për stërvitje, transmeton Klankosova.tv. Pak kohë më vonë, stafi i klubit trokiti në derën e shtëpisë së tij për t’i treguar gruas lajmin e rëndë. “Imagjinoni që burri juaj largohet nga shtëpia si çdo ditë tjetër dhe pak minuta më vonë ju njoftojnë se ka kolapsuar dhe po lufton për jetën”, thuhet në rrëfimin e tij. Pas incidentit, Solbakken u detyrua të pensionohej nga futbolli i luajtur, por jo nga sporti që e dashuronte. Ai nisi karrierën si trajner dhe me kalimin e viteve u shndërrua në një nga figurat më të respektuara të futbollit norvegjez. Kulmi erdhi kur ai arriti ta kualifikojë Norvegjinë në Kupën e Botës për herë të parë pas 28 vjetësh, një sukses historik për vendin nordik. Fitorja 3:2 ndaj Senegalit i siguroi Norvegjisë kalimin në fazën e eliminimit direkt të Botërorit, ndërsa përqafimi me bashkëshorten pas vërshëllimës së fundit nuk ishte thjesht një festë për një fitore futbolli. Ishte momenti i një njeriu që dikur i mbijetoi vdekjes, u rikthye më i fortë dhe sot po jeton ëndrrën e tij në skenën më të madhe të futbollit botëror.