Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Nga ngërçi politik te takimi Kurti-Hamza, çka zbuloi Çitaku (VIDEO)

NULL NULL
10.06.2025 07:02

Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së dhe deputetja e betuar, Vlora Çitaku, ka folur rreth moskonstituimit të Kuvendit të Kosovës, duke e cilësuar situatën si “jashtëzakonisht të rëndë”.

E ftuar në emisionin “DPT te Fidani” në Klan Kosova të hënën, ajo ka shprehur zhgënjimin për gjendjen aktuale në të cilën ndodhet salla plenare, për të cilën tha se përfaqëson histori dhe trashëgimi për vendin.

“Është një gjendje, një situatë jashtëzakonisht e rëndë për secilin deputet dhe për secilën deputete, e cila e ndjenë një barrë sado të vogël të përgjegjësisë, për votën që ka marrë dhe për pozicionin jashtëzakonisht të rëndësishëm që ka”,  tha Çitaku, duke shtuar se e sheh me dhimbje sesi objekti i Kuvendit është reduktuar në një “skenë absurde”, transmeton Klankosova.tv.

“Për mua ai objekt nuk është një godinë e ndërtuar me beton e me tulla, për mua ajo sallë përfaqëson histori, trashëgimi, është një vend në të cilin e kemi shpallur deklaratën e Pavarësisë, vend në të cilin e kemi miratuar Kushtetutën, vend në të cilin kemi themeluar institucionet, Ushtrisë, kemi ratifikuar marrëveshjet ndërkombëtare. Dhe ta shoh tani të reduktuar kështu në një skenë absurde, ku me një lehtësi të padurueshme, përfaqësuesit e subjektit të parë politik vijnë e hyjnë në sallë dhe kënaqësinë më të madhe e kanë nëse thonë ndonjë shaka me të cilën qeshim të gjithë, është e dhimbshme”, theksoi ajo.

Në deklarimet e saj, Çitaku kritikoi qasjen e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke e akuzuar se po tenton të imponojë diktatin në ndërtimin e politikave.

“Mirëpo, çfarë po synon Kurti të bëjë është që të legalizojë diktatin, si instrument të ndërtimit të politikave, në demokraci, diktati nuk funksionon, në demokraci funksionon marrëveshja, funksionon kompromisi. Meqë nuk e ka shumicën e nevojshme, Kurti duhet të pranojë opsione të tjera që i ka në tavolinë”,  tha Çitaku, përcjell Klankosova.tv.

Ajo përsëriti qëndrimin e PDK-së se nuk do të votojë për ministrat aktualë të Qeverisë Kurti , por potencoi se Kurti ka në dispozicion deputetë të tjerë nga lista e tij që mund të ndihmojnë në zhbllokimin e situatës.

“Partia Demokratike e Kosovës, përkatësisht kryetari Krasniqi në takim Kurtit ia ka bërë të qartë që PDK nuk ka votë për asnjë nga ministrat e Qeverisë Kurti , mirëpo Kurti aty ka në dispozicion edhe rreth 40 deputetë tjerë të cilëve u ka besuar që t’i ketë në listë dhe ka mundësi që ta zhbllokojë situatën”, shtoi ajo.

Ndërkohë, duke folur për takimin e fundit ndërmjet Kurtit dhe kryetarit të Mitrovicës, Bedri Hamza, Çitaku theksoi se në atë takim nuk është diskutuar për çështje qendrore apo koalicione, por për bashkëpunim ndërkomunal.

“Takimi ka ardhur si kërkesë e zotit Kurti, drejtuar kryetarit të Mitrovicës, z. Bedri Hamza. Një takim i tillë… nuk është diskutuar as për koalicione as për probleme dhe sfida të mëdha që i kemi në nivel qendror. Ka pasur më shumë të bëjë me bashkëpunimin ndërkomunal”,  tha ajo.

Duke komentuar mbi gjendjen e diskursit politik në vend, Çitaku u shpreh se ai është i ngarkuar me toksicitet dhe përçarje, për të cilën fajësoi eksponentë të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Diskursi publik kosovar është tej mase i ngarkuar me toksicitet, është jashtëzakonisht i polarizuar, dhe kundërshtarët politik nuk shihen si oponent në garë por si armiq që duhet shkatërruar… E ky diskurs ka ardhur në shprehje falë një investimi të madh dhe afatgjatë të eksponentëve të LVV”,  përfundoi Çitaku./Klankosova.tv.

Ndiqni deklarimet e plota, në videot e mëposhtme:

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.