Nevenka Tromp: Çfarëdo drejtësie nga Specialja do të jetë drejtësi e ngadaltë (VIDEO) NULL NULL 02.03.2023 21:49 02.03.2023 21:49 Nevenka Tromp, autore e librit “Gjykimi i papërfunduar i Sllobodan Millosheviqit”, i ka dhënë një intervistë gazetarit të Klan Kosovës, Besnik Tahiri, nga Haga. Në këtë intervistë, Tromp, që punoi me ekipin e prokurorit që ka ndjekur dhe përgatitur rastin kundër Sllobodan Millosheviqit, flet për pjesën e parë të aktakuzave ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë. Ajo thotë se fokusi më i madh i opinionit kosovar, por edhe ndërkombëtar, do të jetë në gjykimin e ish-presidentit Hashim Thaçi e ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, i cili do të fillojë më 3 prill. “Dhomat e Specializuara të Kosovës janë themeluar në vitin 2015 dhe janë bërë 7 vjet e gjysmë, thuajse 8, që punojnë dhe deri tani kemi parë numër shumë të kufizuar të aktakuzave. Deri tani kemi 6 aktakuza për krime të pretenduara të ish-pjesëtarëve të UÇK-së në territorin e Kosovës në periudhën e vitit 1998 dhe tutje, por deri tani kemi parë vetëm përfundimin e procesit të parë gjyqësor, ishte rasti i Salih Mustafës, që u dha në vitin 2022 dhe pra kemi 6 aktakuza, një gjykim, një proces gjyqësor, që ka përfunduar me verdikt, dhe një proces tjetër gjyqësor që është në vazhdim, gjykimi i Shalës. Por pritjet e mëdha të audiencës së Kosovës, por edhe për njerëzit përreth botës të interesuar në drejtësinë ndërkombëtare penale, të gjithë janë të fokusuar në rastin Thaçi dhe të tjerët, një gjykim i cili sipas orarit më të fundit të gjykatës do të fillojë me datën 3 prill. Pra, vlerësimi im deri tani është se çfarëdo drejtësie që pritet nga kjo gjykatë do të jetë drejtësi e ngadaltë”, potencoi autorja Tromp, raporton Klankosova.tv. Në këtë intervistë, Tromp, që është edhe ligjëruese në Universitetin e Amsterdamit, thotë se veten e konsideron më shumë se komentatore dhe analiste, e jo vetëm “si dikush që është vetëm kritike ndaj kësaj gjykate”. “Analiza fillestare dhe më rëndësishme e kësaj gjykate është se po merret me krime të cilat pretendohet se kanë ndodhur para njëzet vjetësh e tutje dhe se në çdo hetim serioz të këtyre krimeve, distanca kur krimet e pretenduara kanë ndodhur dhe skena e krimit e cila nevojitet për të dëshmuar këto krime është shumë e largët dhe ky është një shqetësim i madh, se çfarëdo prova që prokuroria ka mbledhur që nga viti 2015 kur gjykata ka filluar punën, nuk do të bazohen në hetim të skenës së krimit nga prokuroria e kësaj gjykate, por në shumë dokumente që mund të përdoren nga kjo prokurori. Prova me dokumente dhe prova të tjera me audio apo video do të vijnë nga Beogradi, nga Serbia. Serbia do të dorëzojë dhe ka dorëzuar materiale të mëdha që vijnë nga organet e tyre hetuese, nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe përse është potencialisht problematike? Është sepse forcat serbe ishin forcat e njëjta që kryen krime kundër popullit të Kosovës, jo vetëm nga vitet e ‘90-ta por edhe më herët. Pra, kjo është një pikë shumë e rëndësishme e shqetësimit për të gjithë ata njerëz që besojnë në drejtësinë ndërkombëtare penale, ashtu siç unë besoj, sepse unë kam punuar për shumë vite në Tribunalin për Jugosllavinë dhe unë besoj se duhet të kërkojmë llogari nga ata që i shkelin ligjet ndërkombëtare humanitare, por jo me çdo çmim, dhe jo në mënyrën se si kjo mund të jetë duke ndodhur tani në këtë gjykatë specifike, në Dhomat e Specializuara të Kosovës”, deklaroi ajo. Nevenka Tromp, punëtore shumëvjeçare në Tribunalin e Hagës për Jugosllavinë, ka thënë se “duhet të jem shumë e kujdesshme dhe ju gazetarët duhet të jeni shumë të kujdesshëm me mënyrën se si e shpjegoni atë që në fakt po ndodhë në këtë gjykatë”. “Fillimisht jetojmë në një botë ku edhe sistemi ynë nacional ligjor është pjesë e sistemit politik, por kur vjen te krimet politike, si këto krime të pretenduara të cilat janë duke u trajtuar nga Dhomat e Specializuara, politika është kudo, sepse mizori në masë, mizori të gjera janë gjithmonë politike. Kur ke krime politike gjithmonë ka anë shumë të theksuara në këtë fushë politike. Pra shqetësimi im nuk është shumë i drejtpërdrejt siç thatë ju se a jam e shqetësuar për ndërhyrjet politike. Natyrisht që këto shqetësime janë gjithmonë aty edhe në drejtësinë nacionale, por ajo që më shqetëson shumë është se nëse keni një konflikt, luftë me përmasat që i kemi pasur në Kosovë që ka nisur në vitin 81, 1991 deri në vitin 2000. Kurrë, kurrë nuk duhet ta humbim perspektivën për të kuptuar se cila anë ka qenë agresori, cila anë ka qenë e përfshirë në luftë agresive, jo vetëm për të pasur kontroll mbi territorin e Kosovës dhe jam duke folur për palën serbe, por edhe arritja e këtyre qëllimeve duke kryer mizori kundër popullit të Kosovës”. “Dhe pastaj kurrë nuk duhet ta humbim këtë perspektivë përmes analizimit të asaj që është duke ndodhur dhe populli i Kosovës duke qenë i ekspozuar ndaj mizorive shumë, shumë më të mëdha, u lejua edhe nga Karta e Kombeve të Bashkuara që të vetëmbrohet. Dhe tani jemi dëshmitarë dhe kjo është një çështje shumë, shumë e rëndësishme, jemi dëshmitarë të asaj se si kjo palë që absolutisht është viktimë e njohur jo vetëm në aktakuza dhe verdikte të Tribunalit të Jugosllavisë. Ne kemi pasur disa verdikte të dhëna kundër zyrtarëve serbë për periudhën e luftës kur shqiptarët e Kosovës ishin duke vuajtur shumë, por ajo që po shohim tani në Dhomat e Specializuara të Kosovës është se disi kjo më nuk është e rëndësishme, se serbët janë përfshirë në një luftë të padrejtë, në një luftë agresive kundër popullit të Kosovës, tani shtyhemi të besojmë se ata që janë vetë-organizuar kundër terrorit serb duhet të japin llogari, sepse në proces të mbrojtjes së shtëpive të tyre, të oborreve, të fushave ku punojnë se duhet të japin gjithashtu llogari dhe ky është një mesazh shumë i vështirë për t’u dërguar në botë, sepse mesazhi është se nëse përfshihesh në një luftë, edhe nëse e mbron veten nga agresori, mund të përfundosh duke kryer krime kundër njerëzimit dhe do të japësh llogari dhe ky është mesazhi që jemi duke e dërguar dhe ky është një mesazh i vështirë për t’u pranuar edhe për njerëz si unë që vërtetë besojnë se drejtësia ndërkombëtare penale është e mundshme dhe se ne si civilizim duhet të vazhdojmë me këtë”. Tromp është e bindur se shtytja për krijimin e institucionit të cilin nuk e quan misterioz, edhi nga Serbia e jo nga shqiptarët në Kosovë. “Nuk e shoh këtë gjykatë si misterioze, e shoh këtë gjykatë si një organ të drejtësisë të vendosur jashtë territorit të Kosovës dhe Holanda e ka marrë përgjegjësinë që të jetë shtet pritës, sepse Holanda dhe Haga duan ta profilizojnë veten – Holanda si shtet dhe Haga si qytet i paqes dhe drejtësisë. Dhe kjo është diçka që është pjesë e marketingut modern politik dhe duke e pozicionuar veten si një shtet i tillë, Holanda për shembull ka dalë vullnetare që nëse një tribunal ad-hock formohet për krimet e kryera në Ukrainë, të zhvillohet këtu në Holandë. Pra kjo është pjesë e kësaj ideje globale që Holanda të jetë lidere në këtë fushë. Kjo është një gjë. Gjëja e dytë është përse kjo gjykatë e cila nominalisht është gjykatë e Kosovës e themeluar nga institucionet politike të Kosovës, edhe Kushtetuta është dashur të ndryshohet. Përse Kosova në atë kohë u pajtua që kjo gjykatë të jetë e jashtme, në Holandë? Ky nuk është rasti i vetëm që kemi ide hibride që një gjykatë mund të jetë kombinim i juridiksionit kombëtar dhe ndërkombëtar dhe historia tregon se ka disa arsye të mira dhe të këqija për ta bërë dhe pyetja që mund të bëjmë është se sa ndryshe do të mund të ishte një gjykatë e këtij lloji, me kontribut ndërkombëtar dhe profesionistë të huaj, por e pozicionuar në Kosovë? Mendoj se ideja ishte se nuk do të ishte cilësuar si gjykatë objektive. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Tribunalin e Jugosllavisë ka pasur një narrativ se për krimet e pretenduara se janë kryer nga shqiptarët e Kosovës, nga UÇK-ja, FARK-u apo çfarëdo organizate tjetër se problem i madh do të ishte qasja në dëshmitarë, sepse ka një ide dhe GJND-ja e filloi, Carla Del Ponte ishte, edhe para fillimit të gjykimit të Fatmir Limajt, pastaj të Ramush Haradinajt që ka filluar, dhe ideja ishte se shumë krime kanë ndodhur, por nuk mund të marrim prova dhe veçanërisht nuk mund të kemi dëshmitarë okularë dhe dëshmitarë të policisë, sepse këto janë komunitete të lidhura me njëra-tjetrën dhe askush nuk lejohet për shkak të kontrollit social dhe kontrollit politik që ta thotë të vërtetën. Pra, si mund të dëshmojë një shqiptar i Kosovës për keqtrajtimet, apo vrasjet, apo bashkëpunëtorët tjerë shqiptarë në një komunitet të vogël ku të gjithë e njohin njëri-tjetrin dhe të gjithë i japin përgjegjësi njëri-tjetrit dhe strukturës sociale ku janë. Pra ky ka qenë konteksti i prokurorisë për krimet e luftës nga Tribunali dhe ideja ishte se nëse pozicionohet jashtë Kosovës, atëherë ky problem do të zgjidhet në kuptimin që dëshmitarët mund të mbrohen dhe që kjo nuk do të ketë një rol shumë të rëndësishëm”. “Kjo ishte një nga arsyet dhe kur Tribunali i Jugosllavisë është formuar ka pasur shumë arsye se përse është dashur të vendoset jashtë rajonit, sepse është formuar gjatë luftës në Bosnjë e Hercegovinë, pra për arsye të sigurisë ka qenë logjike që të vendoset dikur tjetër, por kur e sheh efektin e GJND-së për ato viktima që kanë kërkuar dhe shpresuar që të ketë drejtësi nga GJND-ja, e sheh se për shkak të gjuhës nuk kanë pasur mundësi që të shkojnë çdo ditë dhe të marrin pjesë në seanca, i sheh arsyet përse nuk duhet të ketë gjykata të tilla ndërkombëtare në gjuhë të huaja, në anglisht dhe larg nga ata që kërkojnë drejtësi”. “Por, shikoni Dhomat e Specializuara të Kosovës. Shtytja kryesore për formimin e tyre nuk ka ardhur nga shqiptarët e Kosovës, edhe pse kur e shikon listën e viktimave, shumica e viktimave të pretenduara kanë qenë shqiptarë të Kosovës që janë keqtrajtuar nga këta individë të akuzuar për këtë, por shtytja ka ardhur nga Serbia, kështu që Serbisë nuk i intereson ku është gjykata, për aq kohë sa të akuzuarit, ata që po hetohen janë njerëzit e UÇK-së, sepse qëllimi i Serbisë për këtë gjykatë dhe qëllimi i GJND-së kanë qenë krejtësisht të ndryshme. Për GJND-në legjitimiteti i rëndësishëm i dhënë për themelimin e GJND-së ka ardhur nga audienca shumë liberale dhe avokues të drejtësisë ndërkombëtare penale rreth botës, njerëz që vërtetë besojnë se ata që kanë kryer krime si Slobodan Millosheviq dhe rrethi i tij i bashkëpunëtorëve politikë dhe ushtarakë, dhe pastaj natyrisht viktimat, sepse viktimat ishin duke i ndjerë këto politika agresive të Sllobodan Millosheviqit në Bosnjë dhe Hercegovinë në vitin 1993 kur GJND-ja është formuar dhe ata kanë menduar dhe shpresuar se kur të themelohet GJND-ja do të pengojë kryerjen e krimeve tjera më të mëdha. Por Dhomat e Specializuara të Kosovës janë themeluar shumë, shumë vite pas përfundimit të luftës dhe pra logjika ishte shumë e ndryshme dhe në thelb nuk ka pasur rëndësi se a do të pozicionohen Dhomat e Specializuara në Kosovë apo në Beograd, sepse legjitimiteti i kësaj gjykate nuk vjen nga viktimat – legjitimiteti i kësaj gjykate vjen si rezultat i marrëveshjeve politike që është më e rëndësishme për Serbinë, sesa për popullin e Kosovës dhe Kosovën”. Pavarësisht kësaj dhe kritikave që ka për punën e Speciales, ajo thotë që prapëseprapë këtë institucion unik të drejtësisë nuk do ta quante gjykatë politike. Gruaja, që bëri libër për atë se si u bënë hetimet kundër Millosheviqit nga Tribunali i Hagës, thotë se në rastin DHSK-së po mundohet të ndryshohet narativa për atë se kush është agresori e kush viktima. E kjo gjykatë në prill e nis gjykimin ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe tre ish-udhëheqësve tjerë të UÇK-së. Tromp thotë se ky rast do të ketë vëmendje të madhe ndërsa ka këtë qëndrim për fraza të dëgjuara shpesh deri tash se Specialja ndjek vetëm individë e jo luftën çlirimtare. “Kam dëgjuar deklarata për shtyp dhe hapjen e rasteve në Dhomat e Specializuara të Kosovës nga kryeprokurori i cili tashmë është larguar, Jack Smith, i cili tha se dua të prezantoj para jush se këto janë krime kundër individëve dhe në asnjë mënyrë nuk jemi duke u munduar ta kriminalizojmë luftën për liri të popullit të Kosovës dhe nuk jemi këtu për ta kriminalizuar UÇK-në, sepse ne merremi vetëm me individë përgjegjës për krime”. “Nëse i shikoni aktakuzat dhe nëse shikoni mënyrën se si ka rrjedhur drejtësia ndërkombëtare pas luftës së ftohtë e tutje, e shohim se është shumë e vështirë ta ndajmë përgjegjësinë individuale, kolektive dhe shtetërore, pra nëse i shikoni aktakuzat e lëshuara nga Dhomat e Specializuara të Kosovës e shohim se secili nga këta individë ka qenë pjesëtar i UÇK-së dhe në rastin Thaçi dhe të tjerët, kanë pasur pozicione udhëheqëse. Pra, në një mënyrë, aktakuzat identifikojnë qëllimin e përbashkët, planin e përbashkët që në esencë është kriminale dhe pastaj pyet veten se si mund ta bëjnë dallimin ndërmjet përgjegjësisë individuale të këtyre njerëzve, përgjegjësinë kolektive pra UÇK-në dhe përgjegjësinë e shtetit që është pastaj përgjegjësi e Kosovës, si një shtet që do të krijohej më pas, sepse në atë kohë Kosova nuk ishte shtet, por në vitin 2008 u bë shtet i pavarur dhe e tërë kjo pastaj shkon te vlerësimi dhe narrativa historike e viteve të themelimit të Kosovës si shtet. Pra a janë themelet e shtetit të Kosovës të vendosur në krim, apo ishte thjeshtë përgjigje ndaj agresionit të agresorit serb që ishte shumë herë më i fuqishëm, kishte infrastrukturë masive ushtarake, në mënyrë që t’i detyronte shqiptarët që të mbesin brenda shtetit serb, apo do të shfaqë kjo gjykatë që jo vetëm UÇK-ja por edhe grupe të tjera ushtarake janë vetë organizuar për t’i mbrojtur familjet e tyre, fshatrat e tyre nga agresioni serb? Dhe ky është një test jo vetëm për prokurorinë, jo vetëm për gjykatësit e Dhomave të Specializuara të Kosovës, por edhe për gazetarët dhe komunitetin e intelektualëve të Kosovës, sepse nuk mund t’i korrigjosh gjërat vite të tëra pasi nga këto procese gjyqësore të dalin verdiktet. Duhet të komentoni, duhet të përfshiheni në baza ditore dhe të përpiqeni të jepni imputet tuaja, jo për të ndërhyrë në punën e gjykatës, por për t’i treguar popullit të Kosovës se çfarë ka ndodhur në të vërtetë dhe çka është e rëndësishme që të regjistrohet dhe si”. Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve është i katërti që nis në Speciale në përgjithësi, dhe i treti për akuzat direkte për krime lufte, krime kundër njerëzimit. I pari ishte ai kundër ish-komandantit lokal të UÇK-së në Zonën e Prishtinës, Salih Mustafa, i cili përfundoi me 16 dhjetor 2022, me verdiktin e shkallës së parë prej 26 vjetëve burgim për të akuzuarin. “Gjykimi në rastin e Salih Mustëfës ishte absolutisht një shembull i rëndësishëm se si gjërat mund të shkojnë gabim dhe se si gjykatësit mund të bëjnë gabime. Fillimisht duke dhënë një dënim kaq të madh, 26 vjet për disa ditë luftë dhe për krime të cilat kur i lexoj gjykimet nuk jam e bindur se si Salih Mustafa ka mundur që të ketë përgjegjësi. Për shembull për një viktimë që është braktisur në një kompleks ku bashkëpunëtorët shqiptarë janë mbajtur dhe është braktisur dhe vrarë nga një plumb serb, nga forcat serbe dhe megjithatë gjykatësit thonë, ‘në rregull, serbët e kanë vrarë por Salih Mustafa është përgjegjës për vrasjen’. Këto janë gjërat për të cilat ju gazetarët e Kosovës, komuniteti i intelektualëve të Kosovës duhet të reagoni, dhe jo të prisni për gjykimin e dytë, për gjykimin final në shkallën e dytë, në Gjykatën e Apelit, por ju duhet ta ngritni zërin dhe të tregoni se çfarë vërtetë ka ndodhur, se ki ndodhur. Nuk mund të lejoni që gjykatësit dhe avokatët ta shkruajnë historinë tuaj”, përfundoi Nevenka Tromp. /Klankosova.tv Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS