Në Prishtinë mbahet punëtori filmi me regjisorin Tin Dirdamal NULL NULL 07.04.2025 12:57 07.04.2025 12:57 Në datat 8 dhe 9 prill 2025, në Kino Armata do të mbahet punëtoria e filmit “Një lumë që shkon përtej rrjedhës, mes fiksionit dhe jo-fiksionit” me regjisorin Tin Dirdamal. Kjo punëtori është për filmbërës të avancuar si regjisorë, skenaristë, montazherë, etj. Kështu ka njoftuar Qendra Kinematografike e Kosovës. “Një lumë që shkon përtej rrjedhës, mes fiksionit dhe jo-fiksionit” është një punëtori filmike që largohet nga të dy ekstremet-si nga fiksioni, ashtu edhe nga jofiksioni. Materiali i vetëm me të cilin do të punojnë është realiteti i përditshëm dhe i rastësishëm. Kjo punëtori është një hapësirë ku njeriu lejon veten të habitet nga vetja dhe këtë habi ta shndërrojë në lëvizje të re krijuese në fushën e filmit”, thuhet në njoftim, transmeton Klankosova.tv. Tin Dirdamal është një regjisor autodidact i njohur për aftësinë e tij për të montuar “filma të pamundur”. I lindur 165 kilometra në jug të kufirit SHBA-Meksikë, me studime formale në inxhinieri, ai e mat suksesin e një filmi me masën në të cilën arrin të braktisë vetveten gjatë procesit krijues. Në moshën 22-vjeçare, mori për herë të parë një kamerë në dorë dhe realizoi filmin e tij të parë të gjatë, krejtësisht rastësisht, i cili fitoi Çmimin e Publikut në Sundance Film Festival. Filmat e tij janë shfaqur dhe vlerësuar në disa nga festivalet dhe hapësirat më të rëndësishme të artit në botë, përfshirë: Venice Biennale, Sundance, Visions du Réel, IDFA, DOCNY, FICUNAM, Ji.hlava, Ann Arbor, DokuFest, e shumë të tjera, transmeton Klankosova.tv.