Në 50 vjetorin e themelimit, studentët me aksion simbolik: "UP strehë e ngacmimeve seksuale"

Në 50 vjetorin e themelimit, studentët me aksion simbolik: “UP strehë e ngacmimeve seksuale”

8 muaj më parë

Disa studentë aktivistë të Universitetit të Prishtinës sot do ta mbajnë një aksion simbolik kundër ngacmimeve seksuale dhe mënyrës se si ky institucion i trajton.

Sipas komunikatës nga këta studentë Universiteti i Prishtinës është kthyer në një strehë të ngacmuesve seksualë, njofton Klan Kosova.

“Ngacmimet seksuale vazhdojnë të mos sanksionohen brenda Universitetit të Prishtinës duke krijuar kështu një ambient të pasigurt për studentet dhe studentët e UP-së, duke shkelur të drejtat e njeriut dhe duke e shndërruar Universitetin në një shtëpi e cila strehon dhe ushqen ngacmues seksualë. Përkundër raportimeve dhe skandaleve publike, Universiteti i Prishtinës edhe sot vazhdon të mos ketë rregullore kundër ngacmimeve seksuale që me Kodin Penal të Kosovës konsiderohen vepra penale, e gjithë kjo si pasojë e rezistencave të vazhdueshme nga ngacmues seksual brenda UP-së”, thuhet në njoftim.

“Të vetëdijshëm/me për shtrirjen e kësaj forme të abuzimit të pushtetit dhe kërcënim të të drejtave fundamentale të studenteve dhe studentëve, ne kërkojmë nga Universiteti i Prishtinës të ndërmarrë masa, përndryshe do të detyrohemi t’i publikojmë emrat e secilit profesor, asistent dhe punëtor administrativ, ngacmues seksual. Ne kërkojmë ambient të sigurt dhe të dinjitetshëm për të gjithë studentet/ët e Universitetit të Prishtinës”.

Ata thonë se UP-ja ndërmarrë masa ose në të kundërtën do t’i publikojnë emrat e profesorëve, asistentëve dhe punëtorëve të administratës të cilët janë ngacmues seksualë që kanë bërë një vepër të tillë.