Ndalohet nga policia politikani rumun që e fitoi raundin e parë në zgjedhjet e anuluara presidenciale NULL NULL 26.02.2025 17:46 26.02.2025 17:46 Qytetarë mbajnë në duar posterin e Calin Georgescut, në shenjë proteste pasi ai u ndalua nga policia dhe u mor në pyetje të mërkurën, 26 shkurt, 2025. Foto: AP Politikani populist i ekstremit të djathtë që fitoi raundin e parë në zgjedhjet presidenciale të anuluara të Rumanisë vitin e kaluar, u ndalua në trafik nga policia të mërkurën dhe u dërgua për t’u marrë në pyetje nga prokurorët, tha ekipi i tij i komunikimit. “Calin Georgescu ishte gati të paraqiste kandidaturën e tij të re për presidencën”, tha ekipi i tij në Facebook. “Ai u dërgua për t’u marrë në pyetje në Prokurorinë e Përgjithshme”, raporton AP, transmeton Klankosova.tv. Nuk ishte menjëherë e qartë pse prokurorët po merrnin në pyetje 62-vjeçarin Georgescu ose nëse ai do të akuzohej. Georgescu në Facebook tha se autoritetet “po kërkojnë të shpikin prova për të justifikuar vjedhjen e zgjedhjeve dhe të bëjnë gjithçka për të bllokuar kandidaturën time të re për presidencën”. Ai u bëri thirrje mbështetësve të marrin pjesë në një protestë të shtunën në Bukuresht. Qindra mbështetës u mblodhën jashtë zyrës së prokurorit, duke valëvitur flamurin e Rumanisë dhe duke brohoritur: “Lironi Georgescun!” dhe “Presidenti Georgescu!” Kryeministri i Rumanisë Marcel Ciolacu tha në X: “Gjyqësori është i pavarur dhe ligji duhet të zbatohet pavarësisht nga personat”. Gjykata Kushtetuese ndërmori hapin e paprecedentë për të anuluar zgjedhjet dy ditë përpara balotazhit të 8 dhjetorit pas fitores së papritur të Georgescut në raundin e parë. Ai kishte deklaruar zero shpenzime për fushatën. Shpejt u shfaqën akuza për ndërhyrje ruse dhe shkelje zgjedhore. Mijëra protestues dolën në rrugët e Bukureshtit të shtunën për të mbështetur Georgescun, i cili në mënyrë të përsëritur ka mohuar çdo keqbërje dhe ka argumentuar se zgjedhjet janë “anuluar në mënyrë të paligjshme dhe jokushtetuese”. Raundi i parë i përsëritjes së zgjedhjeve është caktuar për më 4 maj. Nëse asnjë kandidat nuk merr më shumë se 50% të votave, balotazhi do të pasojë më 18 maj. /Klankosova.tv