“Na shikoi në fytyrë dhe filloi të qeshë”, pjesëtari i FSK-së rrëfen shpëtimin e 2-vjeçares NULL NULL 10.02.2023 14:10 10.02.2023 14:10 “Kemi arritur të identifikojmë zëra, të cilët kanë ardhur nga thellësia, brenda. Në fillim, nuk ka qenë e qartë se nga po vijnë. Me mjetet tona që i kemi, ne kemi arritur saktë ta identifikojmë vendndodhjen”. “Kur janë afruar [ekipet], fillimisht kanë arritur ta prekin nënën e fëmijës, e ka pasur fëmijën në dorë ashtu siç e kanë zënë gërmadhat. Kemi marrë kërkesë nga nëna që ta shpëtojmë fëmijën. Na tha: ‘Ju lutem, nxirreni vetëm fëmijën, vetëm fëmijën nxirreni'”. Kështu rrëfen për Radion Evropa e Lirë përvojën e shpëtimit të një vajze 2-vjeçare në Hataj të Turqisë, më 8 shkurt, Egzon Syla, komandant i kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës për kërkim-shpëtim, i angazhuar në Turqi, pas tërmetit që e ka goditur këtë vend më 6 shkurt. Momenti më i vështirë thotë se ishte dëgjimi i zërave dhe thirrjeve për ndihmë, ndërkohë që depërtimi i menjëhershëm nën rrënoja ishte i pamundur. “E di se dikush po pret ndihmën tënde dhe ti nuk mund të shkosh për ta tërhequr dhe nuk mund të shkosh menjëherë”. “Sigurisht, momenti më i lumtur për të gjithë pjesëtarët [e shpëtimit] këtu ka qenë kur ka dalë fëmija i gjallë, kur, nëse nuk gaboj, ndoshta kemi bërë deri në 10 orë kërkim. Siç e keni parë, [fëmija ka qenë] i mbështjellë me uniformë të FSK-së, i ka shikuar pjesëtarët tanë në fytyrë dhe ka filluar të qeshë. Kjo ka qenë diçka e papërshkrueshme”, thotë Syla, 31 vjeç. Pas vajzës, ekipi i FSK-së e ka shpëtuar edhe nënën e saj, ndërsa babai dhe vëllai nuk i kanë mbijetuar tërmetit, i cili ka lënë të vdekur më shumë se 21 mijë njerëz në Turqi dhe Siri. Kontingjenti i FSK-së, i cili përbëhet nga specialistët e kërkim-shpëtimit urban, personel mjekësor ushtarak dhe qen të kërkim-shpëtimit, është nisur drejt Turqisë mbrëmjen e 6 shkurtit. Aktualisht, ky kontingjent është i stacionuar në Hataj – njërin nga rajonet më të prekura nga tërmeti. “Qyteti është i shkatërruar plotësisht, është një katastrofë. Ne e kemi shumë të vështirë edhe komunikimin me udhëheqësit tanë në Kosovë, sepse nuk ka as internet e as valë telefoni. Është shkatërruar gjithçka. Nuk ka asnjë ndërtesë të banueshme, ose janë rrëzuar komplet, ose dëmtuar shumë”. “Rrugët janë të bllokuara nga rrëzimi i banesave, njerëzit janë duke fjetur në rrugë, janë duke ndezur zjarr dhe duke qëndruar aty. Në trotuare ka shtretër që kanë arritur t’i nxjerrin nga banesat që nuk janë rrënuar komplet. I kanë vendosur rrugëve dhe janë duke qëndruar aty”, rrëfen Syla. “Ata nuk kanë dashur të largohen, me sa kuptova, se janë duke pritur ende për të afërmit e tyre që të nxirren nga gërmadhat”, thotë komandanti i kontingjentit të FSK-së për kërkim-shpëtim. *Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
Kosova Krasniqi: Kënaqësi që mora pjesë në hapjen e ekspozitës së fotogazetarit Blerim Uka 2 orë më parë
Kosova Arrestimi i shtetasit serb për planifikim të vrasjes, Prokuroria po tenton të zbulojë edhe ndonjë të dyshuar tjetër 2 orë më parë