Myku dhe gropat “mbulojnë” objektin e gjimnazit në Fushë-Kosovë (VIDEO) NULL NULL nga Kiks Kosova 07.03.2023 22:55 nga Kiks Kosova 07.03.2023 22:55 Ka më shumë se një dekadë që në gjimnazin “Hivzi Sylejmani” nuk është investuar asnjë cent, ani pse kërkesa të shumta kishin shkuar në Drejtorinë e Arsimit në Fushë Kosovë. Mbi 600 nxënës ndjekin mësimin në gjimnazin e vetëm të kësaj komune, por kushtet janë larg minimales për t’u zhvilluar proces i rregullt mësimor. Kabinetet, megjithëse të pajisura me mjetet adekuate, rrezikojnë të prishen nga lagështia, raporton Kiks Kosova. Këtë e dëshmon edhe kjo kovë e vendosur në mes të klasës, qëllimi i së cilës është grumbullimi i ujit që pikon nga çatia sa herë që ka të reshura atmosferike. Por para së të hysh në këtë kabinet, ajo çka bie në sy është dera e prishur. Të njëjtin fat dhe në situatë të njëjtë ndodhen edhe klasat e tjera, ku mbahet mësimi çdo ditë. Dysheme të prishura mund të hasesh në secilën prej klasave, madje të krijojnë përshtypjen e rrugëve të prishura. Kreativiteti i nxënësve dhe mësimdhënësve të kësaj shkolle shfaqet edhe me format që kanë zgjedhur për t’i mbuluar gropat në dyshemetë e klasave të tyre. E përveç kësaj, nxënësit e këtij gjimnazi çdo ditë mbajnë mësimin në klasat, ku kundërmimi i mykut të lagështisë është i pranishëm. Madje edhe muret e klasave duket se janë “veshur” me gjelbërim si pasojë e mykut. Shkaktari i kësaj lagështie vjen nga tualetet e shkollës, që janë të prishura pothuajse në tërësi. E vetmja pjesë funksionale në këto tualete është vendi i larjes së duarve, të cilat po mirëmbahen nga mjetet vetanake të punonjësve të gjimnazit. Privatësia në këto tualete është e pamundur. Ndërsa ato tualete, në të cilat mund të ruhet privatësia, nuk kanë ujë. Hiç më mirë nuk qëndron as salla e profesorëve. Edhe aty dyshemeja është prishur. E pavarësisht gjithë këtyre halleve, drejtori i këtij institucioni, Amir Pllana, nuk ka pranuar të flasë për Kiksin. Megjithatë, ai ka referuar që përgjigjet t’i kërkojmë në Drejtorinë e Arsimit në Fushë Kosovë. Arsyetimi i kësaj drejtorie për faktin e mosinvestimit është me atë që kishin planifikuar ndërtimin e dy shkollave të reja. Fadil Krasniqi theksoi se me rishikim të buxhetit do të investohet në gjimnaz. /Klankosova.tv
Ekonomi Bislimi: Për moszbatimin e Udhërrëfyesit për Energjinë, një pjesë të fajit e ka Brukseli 2 months