Muhaxheri (PDK): S’ka arsye që të bojkotohen zgjedhjet, në Pejë synojmë 10 asamblistë

Muhaxheri (PDK): S’ka arsye që të bojkotohen zgjedhjet, në Pejë synojmë 10 asamblistë

NULL NULL
2 months më parë

Partia Demokratike e Kosovës nuk ka kandidat për kryetar në qytetin e Pejës.

Kjo pasi ish kandidati i kësaj partie për kryetar të Pejës, Astrit Ademaj, natën e 8 shtatorit përfundoi i vrarë në motive ende të paqarta për drejtësinë.

Por, bartësi i listës së PDK-së për asamble në Pejë Arton Muhaxheri, tha se fushata zgjedhore ka shkuar mirë dhe prej rastit tragjik tashmë ata e kanë marrë vetën.

“Ne jemi forcuar dhe kemi dalë përtej vetës për të punuar me strukturat tona, me nëndegët tona për ta mobilizuar anëtarësinë e PDK-së, ndonëse nuk kemi kandidat për kryetar, por kjo nuk do të thotë që nuk do të dalim mirë në këto zgjedhje, përkundrazi, ne mendojmë se do të dalim jashtëzakonisht mirë në këto zgjedhje sepse kandidatët tanë për asamble kanë bërë një fushatë të jashtëzakonshme dhe kjo është një sinjal i mirë se PDK-ja do ta ketë rezultatin më të mirë ndonjëherë në Pejë”, është shprehur Muhaxheri në “Info Magazine” në Klan Kosova.

Sa i përket asaj se cilin kandidat do ta mbështesin në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 17 tetor, Muhaxheri tha kjo gjë do të bëhet e ditur në dy ditët në vijim.

“Ne kemi bashkëqeverisur me LDK-në në këto mandate ku kemi pasur një bashkëpunim korrekt. Ne ende nuk kemi marrë vendim se cilin prej kandidatëve për kryetar do ta mbështesim por brenda këtyre dy ditëve që kanë mbetur ata do ta kenë mesazhin e qartë se cilin kandidat duhet ta mbështesin”, ka thënë Muhaxheri, njofton Klankosova.tv.

Më tej, ai tha se duke parë mobilizimin e strukturave të PDK-së dhe kandidatëve për asamble, në Kuvendin Komunal të Pejës ata do ta kenë shumicën vendimmarrëse.

Ndërsa, në ditët e fundit në qytetin e Pejës janë shpërndarë disa afishe ku bëhet thirrje për drejtësi për vrasjen e kandidatit të PDK-së në Pejë, Astrit Ademaj, dhe thirrje për bojkotim të zgjedhjeve.

Për këtë, Muhaxheir tha se s’ka asnjë arsye që të bojkotohen zgjedhjet, dhe se PDK-ja duke vlerësuar lartë kontributin e ish kandidatit të tyre për kryetar, ka vendosur që të mos kandidoj askënd tjetër për kryetar të Pejës.

“Kjo është ajo çka ne kemi bërë duke respektuar vlerat dhe kontributin e ish kandidati tonë, më shumë se kaq partia nuk mund të bëjë”, është shprehur Muhaxheri, njofton Klankosova.tv.