MPJD shpërfill vendimin e Kurtit, blen vetura që nuk dihet se ku shkuan (VIDEO) - Klan Kosova


Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

MPJD shpërfill vendimin e Kurtit, blen vetura që nuk dihet se ku shkuan (VIDEO)

NULL NULL
nga Ardiana Thaci 11.01.2023 22:56

Ministria, që udhëhiqet nga Donika Gërvalla Schwarz, bleu 5 vetura për nevojat e shërbimeve diplomatike, ani pse asnjë nga misionet diplomatike nuk kishte bërë kërkesë për blerjen e tyre.

Të paktën kjo nënkuptohet nëse analizohen komunikimet e brendshme mes zyrës së sekretarit të MPJD-së dhe zyrës së transportit në këtë ministri.

Bazuar në disa dokumente që ka siguruar Kiks Kosova, në momentin kur MPJD-ja kishte nisur procedurat për blerjen e veturave, zyra e sekretarit të kësaj ministrie kishte kërkuar nga zyra e transportit një listë të veçantë të veturave që kishin në dispozicion Shërbimet Diplomatike dhe nëse kishte ndonjë kërkesë nga to për t’u pajisur me vetura.

Komunikimi mes këtyre zyrave ishte zhvilluar me datën 3 dhjetor, ku një orë pas kërkesës, zyra e sekretarit të MPJD-së, do të njoftohej nga përgjegjësi për transport për numrin e saktë të veturave, qofshin ato të amortizuara apo në funksion, si dhe do të theksonte nevojën se asnjë nga misionet diplomatik nuk kishte kërkuar vetura.

Por pavarësisht kësaj, 5 vetura në vlerë prej 156 mijë e 176 eurosh u blenë, ani se procedurat për to nuk u mbyllen as në muajt pasues.

Në një komunikim tjetër mes MPJD-së dhe zyrtarit për pranim nga Divizioni për IT dhe Logjistikë, Samedin Thaqit, në marsin e vitit 2022, vihej në pikëpyetje dhe fakti nëse veturat ishin pranuar.

Duke qenë zyrtar për pranimin, Thaçi i kërkonte sqarime Ministrisë se kush e kishte bërë pranimin e tyre, pasi edhe pse ai ishte zyrtar përgjegjës, nuk i kishte parë asnjëherë ato.

E pyetur nga Kiksi se kush e ka bërë pranimin e tyre, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka thënë shkurt se: “Veturat janë pranuar fillimisht nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Kroaci.”

Historia thellohet dhe bëhet edhe më e paqartë për faktin se nuk specifikohet se në cilat ambasada apo konsullata kanë shkuar këto vetura.

Në disa komunikime të brendshme gjatë kohës së blerjes, zyrtari përgjegjës kishte renditur 6 ambasada e 4 konsullata, që ishin me prioritet për t’u furnizuar me vetura.

Në email theksohej se MKD-të e ranguara më lart duhet të pajiseshin me vetura të tipit më të mirë si Audi, Passat, Peugeot apo Citroen.

Megjithatë MPJD është përgjigjur shkurt në pyetjen e Kiksit se ku kanë shkuar veturat, duke thënë se: Veturat shfrytëzohen nga Misionet Diplomatike dhe Konsullore të Republikës së Kosovës në vende të ndryshme të Evropës.”

Por gjatë kohës se procedurave dhe blerjes së këtyre veturave, në Kosovë ishin në  fuqi dy vendime që ndalonin blerjen e veturave për institucionet shtetërore.

Vendimi i parë u mor nga ish-kryeministri Avdullah Hoti dhe mban datën 19 tetor 2020, i cili ndalonte procedurat e blerjes së veturave zyrtare nga ministritë dhe agjencitë në vartësi të tyre.

E përveç blerjes, ky vendim ndalonte edhe prokurimet për vetura edhe nëse ato ishin në proces.

Ndër të tjera, vendimi obligonte Ministrinë e Punëve të Brendshme që brenda një jave pas fuqizimit të vendimit të hartonte dhe ta dërgonte për aprovim planin për inventarizimin e veturave zyrtare dhe me pas ato të shpërndaheshin tek institucionet që kanë nevojë.