Modeli i njohur i Mianmarit dënohet me tre vjet burgim për pjesëmarrje në protestat masive NULL NULL 28.12.2021 08:28 28.12.2021 08:28 Një nga personazhet më të njohur të Mianmarit është dënuar me tre vjet burgim për pjesëmarrje në protestat masive që tronditën Mianmarin pas një grusht-shteti ushtarak në shkurtin e kaluar. Paing Takhon, model dhe aktor me miliona fansa, mori pjesë në protestat kundër grusht-shtetit dhe gjithashtu ka qenë i zëshëm në dënimin e qeverisë në internet. Ushtria e Mianmarit mori pushtetin pas pretendimeve për mashtrime zgjedhore. Takhon u arrestua në prill nga rreth 50 ushtarë që mbërritën me tetë kamionë ushtarakë në orën 05:00, sipas një postimi në Facebook nga motra e tij, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv. Këshilltari i tij ligjor Khin Maung Myint tha për AFP se ai ishte dënuar, duke shtuar se familja e tij po shqyrtonte nëse do të apelonte. 24-vjeçari ishte parë më parë duke marrë pjesë në disa demonstrata dhe marshime. Ai kishte postuar gjithashtu imazhe të liderit të rrëzuar civil dhe ikonës pro-demokracisë Aung San Suu Kyi, që u dënua me katër vjet burgim për nxitje të mospajtimit dhe thyerje të rregullave të COVID-19. Llogaria e tij në Instagram me më shumë se një milion ndjekës u mbyll menjëherë pas arrestimit të tij, së bashku me llogarinë e tij në Facebook. Megjithatë, llogaria në Instagram duket se është rikthyer nga një llogari fansash. Një i njohur i tij i afërt, i cili nuk dëshironte të përmendej, i kishte thënë më herët BBC-së se Takhon kishte vuajtur nga depresioni dhe një gjendje fizike kur u arrestua, duke shtuar se ai as nuk mund të “qëndronte siç duhet”. Megjithatë, ata shtuan se ai kishte qenë ‘i vetëdijshëm për pasojat’ që e prisnin, duke shtuar se ai ‘nuk ishte aspak i frikësuar’.