Ministrja serbe “non grata” në Kosovë, Thaçi: Sinjal se po shkojmë në zgjedhje (VIDEO) NULL NULL 14.07.2026 22:46 14.07.2026 22:46 Vendimi për shpalljen “person non grata” të ministres serbe Snezhana Paunoviq është cilësuar si i duhur nga opinionistë e gazetarë, por është kërkuar që institucionet e Kosovës të reagojnë më fuqishëm edhe në aspektin diplomatik. Gazetarja Ardiana Thaçi vlerësoi se vendimi është i drejtë, por theksoi se institucionet e Kosovës është dashur ta shfrytëzonin më gjerësisht këtë rast në aspektin diplomatik. “Kjo tregon që jemi pranë zgjedhjeve. Është dashur ta shfrytëzonin institucionet, por s’ka kush. Ministria e Jashtme ka vite që është shndërruar në politika të ngushta të veta. Kur dërgon në ambasada njerëz që nuk kanë përvojën e duhur, e ke problem ta shfrytëzosh këtë deklaratë. E vetmja që ka mundur ta bëjë Sveçla është kjo”, u shpreh Thaçi në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova. Edhe avokati Skender Musa e mbështeti vendimin, duke thënë se masa e ndërmarrë ishte e nevojshme. “Është mirë që e ka shpallë, duhej të shpallej”, deklaroi Musa. Në të njëjtën linjë ishte edhe gazetari Vehbi Kajtazi, i cili tha se shteti do të duhej ta përdorte këtë rast edhe në forma të tjera diplomatike dhe politike. “Shteti do të duhej ta shfrytëzonte mirë këtë deklaratë edhe në mënyra të tjera. Shumë mirë që u shpall non-grata”, tha Kajtazi. Ndërkaq, opinionistja Anita Shabani e cilësoi të arsyeshëm vendimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme. “Shpallja non-grata, për momentin, është vendim i duhur”, u shpreh ajo. Ministri në detyrë, Xhelal Sveçla, njoftoi më herët se Snezhana Paunoviq është shpallur “person non grata”, me ndalim të përhershëm të hyrjes dhe kalimit tranzit në Republikën e Kosovës, pas deklaratave të saj, të cilat ai i cilësoi si të papranueshme dhe cenim të sovranitetit të vendit./Klankosova.tv