Minatorët kolumbianë shpëtohen pasi qëndruan të bllokuar për 18 orë nën tokë NULL NULL 18.07.2025 19:26 18.07.2025 19:26 Tetëmbëdhjetë punëtorë të bllokuar për rreth 18 orë në një minierë ari në Kolumbinë veriperëndimore janë shpëtuar nga ekipet e emergjencës, tha qeveria e vendit. Minatorët mbetën të bllokuar të enjten në minierën El Minón, në rajonin Antioquia të Kolumbisë, pas një defekti në pajisjet, sipas agjencisë së lajmeve AFP. Pas një operacioni shpëtimi 12-orësh, të gjithë punëtorët janë në gjendje të mirë shëndetësore, tha Agjencia Kombëtare e Minierave e Kolumbisë (ANM). Në një letër dërguar qeverisë, kryetari i bashkisë në Remedios tha se miniera me sa duket ishte pa licencë. Operacioni për lirimin e minatorëve përfundoi pak pas orës 03:00 sipas kohës lokale të premten, sipas ministrit të Energjisë të Kolumbisë. Videoja e shpëtimit tregoi kolegët e minatorëve duke duartrokitur dhe brohoritur ndërsa ata dolën nga boshti i minierës. Yarley Erasmo Marin, një përfaqësues i një shoqate lokale minatorësh, i tha agjencisë së lajmeve AFP se një defekt mekanik shkaktoi shembjen e një strukture të projektuar për të parandaluar rrëshqitjet e dheut, duke bllokuar daljen kryesore të minierës. Minatorëve të bllokuar iu desh t’u jepej oksigjen përmes tubave ndërsa prisnin të shpëtoheshin, raportoi radioja lokale ABC. ANM tha në një deklaratë se komuniteti i minierave duhet të “përmbahet nga aktivitetet e paligjshme të minierave, të cilat rrezikojnë jetën dhe sigurinë e atyre që janë përfshirë dhe gjithashtu ndikojnë në burimet e vendit dhe mjedisin”. Aksidentet në miniera nuk janë të rralla në Kolumbi dhe dhjetëra vdekje janë regjistruar vitet e fundit, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.