Milionat e BE-së në “duar” të parlamentarëve, bëhet thirrje për ratifikimin e marrëveshjes NULL NULL 01.07.2025 15:58 01.07.2025 15:58 Liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor janë mbledhur të martën në Shkup në një takim të nivelit të lartë, në kuadër të Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian për rajonin. Foto: Klankosova.tv Liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor janë mbledhur të martën në Shkup në një takim të nivelit të lartë, në kuadër të Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian për rajonin. Në fokus të takimit të udhëhequr nga Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, ishte vlerësimi i reformave të deritanishme dhe nxitja e implementimit të tyre, si parakusht për përfitimin e mbështetjes financiare në vlerë prej 6 miliardë eurosh. Sipas Komisionit Evropian, Plani i Rritjes synon të afrojë vendet e rajonit me Tregun e Përbashkët Evropian, përmes integrimit ekonomik dhe reformave strukturore. Deri më tani, katër vende, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia, kanë përfituar parapagimet nga mekanizmi i quajtur Reform & Growth Facility, si rezultat i avancimit me agjendat përkatëse të reformës. Ndërkohë, Kosova ende nuk i ka siguruar këto fonde, njofton Klankosova.tv. Komisioni Evropian i ka bërë thirrje autoriteteve në Kosovë që të përshpejtojnë procedurat për miratimin e marrëveshjes për këtë instrument dhe marrëveshjen për hua. Kjo kërkon një Kuvend të konstituuar dhe funksional, gjë që aktualisht mbetet e pamundur për shkak të krizës institucionale. “Komisioni inkurajon Kosovën të përshpejtojë procesin e miratimit për vënien në fuqi të Marrëveshjes për Instrumentin e Planit të Rritjes dhe të Marrëveshjes për Hua, për të zhbllokuar parapagimin”, thuhet në njoftimin e Komisionit Evropian. Kosova, nëse arrin t’i plotësojë kushtet, mund të përfitojë rreth 60 milionë euro vetëm në fazën e parë të këtij instrumenti. Komisionerja Kos theksoi se Plani kërkon udhëheqje të qëndrueshme politike dhe angazhim të vazhdueshëm për të arritur rezultate të dukshme në terren. “Ky instrument ka nevojë për drejtim të fortë politik për të siguruar zbatim të shpejtë dhe të plotë. Vetëm kështu partnerët tanë do të përshpejtojnë rritjen dhe do të avancojnë në rrugën drejt anëtarësimit në BE”, u shpreh ajo. Liderët rajonalë u dakorduan që të takohen sërish në vjeshtë, për të ndjekur përparimin dhe për të ruajtur vrullin politik pas zbatimit të Planit. Ndërkohë sot sërish parlamenti kapi dështimin e 40-të me radhë të seancës për konstituimin e Kuvendit. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.