Miftari: Shkaku i fluksit të madh të bojkotimit të produkteve serbe, po manipulohet me flamuj në rafte (VIDEO) NULL NULL 13.01.2023 19:33 13.01.2023 19:33 Kampanja “Besa-Besë”, që ka për qëllim vetëdijesimin e kosovarëve që t’i shmangin produktet serbe, duket se po ka sukses. Kështu të paktën vlerëson Albulena Miftari, aktiviste e grupit. Në emisionin Info Magazine në Klan Kosova, ajo shprehet se kampanja në fjalë është nisur në shtator të vitit të kaluar, me formimin e një grupi të thjeshtë në Facebook, të cilit për një kohë të shkurtër i janë bashkëngjitur shumë njerëz. “Fillimisht aty i kemi vendosur produktet serbe dhe i kemi njoftuar qytetarët se cilat janë ato që nuk duhet ata t’i blejnë, kështu që përmes kësaj e kemi arritur një vetëdijesim dhe sensibilizim që mund ta quaj të suksesshëm, për shkak se njerëzit veçse janë vetëdijesuar dhe shumë prej tyre na kanë dhënë edhe komente të mëdha për këtë sukses që e kemi arritur bashkërisht”, sqaroi Miftari. Ajo po ashtu u shpreh se ajo që është e rëndësishme është fakti që shohin në terren, siç tha, janë dëshmitarë të rafteve me produkte që janë të mbushura me produkte serbe. “Atëherë kuptohet që ato nuk janë të prekura nga konsumatorët dhe nuk blihen. Ka shumë prej tyre që edhe po kthehen prapa për shkak që nuk kanë shitje”, vlerësoi aktivistja e Besa-Besë, duke shtuar se në atë grup në rrjete sociale momentalisht janë rreth 104 mijë anëtarë, dhe se secili prej tyre kontribuon në formën e vet për të krijuar një atmosferë më të mirë për vendin. Lidhur me arsyen e konsumimit të produkteve serbe, Miftari tha se në bazë të komenteve që kanë marrë nga qytetarët, shkaku qëndron te çmimi më i lirë, promocionit ekstra që i bëhet atyre produkteve, cilësia e tyre, dhe ndonjëherë edhe shkaku që nuk mund të gjejnë zëvendësim për ndonjë produkt të caktuar serb. Aktivistja mes tjerash deklaroi edhe se për shkak të fluksit të madh që po ndodh me mos blerjen e produkteve serbe, bizneset ilegalisht po i vendosin flamujt në raft – që nuk janë adekuatë për atë produkt, dhe se lidhur me këtë janë shqiptuar dënime të ndryshme me gjobë. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.