Merkeln…të mos bësh asgjë - Klan Kosova

Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Merkeln…të mos bësh asgjë

NULL NULL
07/08/2015
Angela Merkel dominon politikën gjermane prej një dekade tashmë. Mes suksesesh, por edhe dështimesh, kancelarja ka hyrë në historinë e Gjermanisë si njeriu që e mbajti vendin të paprekur nga kriza financiare.

Së fundmi, duket se Merkel do t’i shtojë një tjetër triumf vetes, edhe pse jo aq komplimentues.

Këtë vit fjalori gjerman pritet të pasurohet me një fjalë të frymëzuar prej Merkel. “Merkeln” (të merkel) pritet të zgjidhet fjala e re e vitit nga publicistët e fjalorit të famshëm gjerman, Langenscheidt.

Folja “Merkeln” udhëheq sondazhet e deritanishme si neologjizma më e përdorur dhe e votuar nga njerëzit për vitin 2015.

“Merkeln” është zhargon i rinisë, ku mesa duket kancelarja gjermane nuk gëzon një opinion fort të mirë. Në zbërthimin që i bëhet fjalës “Merkeln” do të thotë: të mos bësh asgjë, të mos marrësh asnjë vendim, të mos shprehesh asnjë gjë prej vetes.

Ky opinion i rinisë për gruan më të pushtetshme në botë duket se lidhet me stilin e saj të të bërit politikë. Ajo njihet si pragmatike dhe këtë e ka treguar gjatë gjithë karrierës së vet, ku preferon të reagojë ndaj ngjarjeve të momentit sesa të ndjekë një ideologji të caktuar politike.

“Ajo çmon lartë vetëm lirinë dhe gjithçka tjetër për të është e negociueshme”, do të deklaronte disa kohë më parë Katrin Goring-Eckardt, njëra prej kundërshtareve të Merkel. Për ta përforcuar mjafton të përmendet një bisedë mes një këshilltari të kancelares dhe një ish-ambasadori amerikan në Berlin.

“Plani afatgjatë i Merkelit në politikë është rreth 2 javë”, do të deklaronte këshilltari para diplomatit amerikan.

Ky stil i të bërit politikë ka qenë i suksesshëm për vetë udhëheqësen e kristian-demokratëve, e cila ka siguruar tre mandate radhazi, mjaftueshëm për të jetuar me një “Merkeln” në fjalor.

Ndërkohë, fjalët rivale të “Merkeln” janë disa, përfshirë Tinderella, një femër që përdor platformat e internetit për njohje të reja, frymëzuar nga rrjeti Tinder dhe Smombie, një shkrirje mes fjalë zombie dhe smartphone, për të treguar dikë që është i fiksuar pas aparatit inteligjent, aq sa nuk sheh as ku hedh këmbët./TCh