Mërgimtari i kërkon falje Hotit për kanosje: Me të vërtetë gjunjëzohem para jush (VIDEO) NULL NULL 08.08.2023 13:01 08.08.2023 13:01 Avdullah Hoti Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të martën pas përfundimit të seancës fillestare, i akuzuari Reshat Sadiku u afrua pranë deputetit Avdullah Hoti dhe i kërkoi falje për kanosjen që ia kishte bërë në rrjetin social “Facebook”. “Për shkak se edhe vetë kam pasur kanosje, internetin nuk e përdori shumë edhe nuk e kam fshi komentin. Për kanosjen, kërkoj falje publike me gjithë zemër, nëse ka diçka për ndihmë nga ana ime, jam i gatshëm. Kërkoj falje…”, tha ai. I njëjti tha se nuk është person që bën të tilla veprime. “Kam kontribu shumë, tash më ndodhi kjo. Me të vërtetë gjunjëzohem para jush, se nuk jam njeri i tillë, kurrë në gjyq s’jam kanë as kurrë këso probleme s’kam pas”, tha i akuzuari. Ndërsa, edhe deputeti Hoti i tha se ai është i pari që e ka sjellë në gjykatore. “Ti ke qenë i pari që më ke sjellë këtu, kurrë s’kam qenë këtu”, tha Hoti. I akuzuari sërish i kërkoi falje, duke i thënë se qëllimi i tij nuk ka qenë të bënte dëm diçka. Po ashtu, është pranuar marrëveshja për pranim fajësie mes Prokurorisë dhe mërgimtarit të akuzuar për kanosjen e deputetit, Avdullah Hoti. Sipas aktakuzës, më 15 dhjetor 2022 në Prishtinë, pasi i dëmtuari Avdullah Hoti, deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, kishte postuar në profilin e tij në rrjetit social “Facebook” mendimin e tij për zhvillimet politike në vend, i pandehuri Reshat Sadiku, me qëllim të frikësimit, e përmes llogarisë së tij personale në rrjetin social “Facebook”, i shkruan koment që lidhet me punën apo me pozitën e të dëmtuarit dhe e kanosë seriozisht me fjalët: “Ty mor bugar vetëm kosa të vjen hakesh”, ku me këtë rast tek i dëmtuari shkakton ndjenjën e ankthit, frikës dhe pasigurisë për jetën./betimiperdrejtesi/